Shqipe Pantina, deputete

Korrupsioni në Kosovë Nuk Është Vetëm Perceptim

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Shqipe Pantina, tha se mjafton të shihen raportet e OShP-së dhe KRPP-së dëshmojnë se korrupsioni nuk është vetëm perceptim në Kosovë, por ky fenomen “është bërë krim i organizuar.

Këto komente ajo i bëri gjatë publikimit të raportit “Nder me Tenderë” të BIRN dhe Internews Kosova të monitorimit të prokurimit publik për vitin 2015.

Pantina, e cila është anëtare e Komisionit Parlamentar për Financa, tha se korrupsioni është në rritje në Kosovë për shkak se ata që janë gjetur fajtorë nuk janë ndëshkuar.

“Ka shumë kontrata të mëdha të nënshkruara pa njoftim të publikut”, tha ajo duke shtuar se kontratat e tilla nga viti 2014 në 2015 kapin vlerën 25 fish më të madhe.

Raporti i publikuar është i ndarë në 8 kategori dhe përfshin 169 autoritete kontraktuese të cilat kanë zhvilluar procedura përmes prokurimit publik apo kanë tenderuar mallra, shërbime dhe punë.

Raporti paraqet milionët e shpenzuar të buxhetit, keqpërdorimet dhe favorizimet me tenderë dhe përmban elemente shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike nga ana e institucioneve buxhetore brenda periudhës janar-dhjetor 2015.