Foto: Facebook

Korrupsioni, Burg për ish-Eurodeputetin Rumun

Një ish-eurodeputet rumun, Adrian Severin, është dënuar me tre vjet e tre muaj burgim për korrupsion, pasi që në shkëmbim të parave kishte influencuar në ligjet evropiane, ka thënë një burim gjyqësor, raporton AFP.

61-vjeçi dhe dy eurodeputetë të tjerë në vitet 2010-2011 kishin rënë në kurthin e gazetarëve të gazetës britanike “Sunday Times”, të cilët shtireshin si lobues të një kompanie.

Siç raporton Agence France Presse, ish-deputeti ka dënuar përmes një postimi në “Facebook” atë që e quan “vendim monstruoz të drejtësisë rumune” dhe ka njoftuar se do të apelojë.

Sipas Prokurorisë Anti-Korrupsion (DNA), z. Severin kishte pranuar të paraqiste amendamente të shënjestruara që ishin të favorshme për një grup lobues dhe për këtë punë ai do të paguhej deri në 100.000 euro në vit.

I filmuar me kamerë të fshehur, ai kishte pranuar të merrte nga 4.000 euro në ditë për punën e tij në të mirë të lobit, kanë theksuar prokurorët.

Ndër të tjera, lobuesve të rrejshëm ai u kishte dërguar një letër: “Vetëm që ta dini, amendamenti që ju e dëshironit është dorëzuar me kohë“, si dhe një faturë prej 12.000 eurosh për “shërbime këshillimi”, raporton AFP.

Ish-ministër i Punëve të Jashtme ndërmjet viteve 1996 dhe 1997, z. Severin kishte refuzuar të jepte dorëheqje nga Parlamenti Evropian me gjithë presionet e grupit të tij socialist, duke thënë se është viktimë e një “inskenimi që synon eliminimin tim nga skena politike ndërkombëtare”.

Dy eurodeputetët e tjerë të implikuar në këtë skandal tashmë janë dënuar me burgim.

Austriaku Ernst Strasser, ish-ministër i Brendshëm, është dënuar në janar 2013 me katër vjet burgim, ndërsa slloveni Zoran Thaler, ministër i Punëve të Jashtme ndërmjet viteve 1995 dhe 1997, është dënuar në shkurt  2014 me dy vjet e gjysmë burg dhe 32.250 euro gjobë.

Siç raporton AFP, Parlamenti Evropian kishte zhvilluar një hetim të tijin rreth kësaj çështjeje.