Korrigjimi i kufijve e taksa nuk përmenden në konkluzionet e Samitit të Berlinit

Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, i thirrur nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, duket se vërtet nuk do të sjellë asgjë të re.

Në draft-konkluzionet e Samitit të Berlinit, as që përmenden temat si: korrigjimi i kufijve dhe heqja e taksës ndaj Serbisë.

Në këtë draft-deklaratë, ku evidentohen konkluzionet e bashkëkryesuesve, e cila edhe mund të ndryshojë pas takimit, nuk ka asgjë të re.

Aty as që përmendet korrigjimi i kufijve, i cili është proklamuar deri më tani si ide për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Nuk përmendet as heqja apo pezullimi i tarifës së Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, e cila ka pamundësuar vazhdimin e dialogut në Bruksel.

Kjo është draft-deklarata e plotë e bashkëkryesuesve të Samitit të Berlinit:

DRAFT – Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor 

Konkluzionet e bashkëkryesuesve

Sot, ne, krerët e shteteve dhe qeverive të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Sllovenisë, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Unionit për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federika Mogherini, u mblodhëm bashkë në Berlin.

Duke rikujtuar të ardhmen e përbashkët evropiane të Ballkanit Perëndimor, ata lavdëruan marrëveshjen e suksesshme të arritur në mes të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut rreth mospajtimit mbi emrin si një shembull të shquar të një zgjidhjeje të suksesshme të konflikteve. Ata nënvizuan rëndësinë e një marrëveshjeje mbi normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, stabilitetin në regjion dhe perspektiven evropiane të Serbisë dhe Kosovës. 

Ata u pajtuan që një marrëveshje e tillë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, politikisht e qëndrueshme dhe t’i kontribuojë stabilitetit në regjion. Serbia dhe Kosova u pajtuan që t’i përshpejtojnë angazhimet për implementimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të riangazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e dialogut më ndërmjetësim të BE-së, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje definitive dhe gjithëpërfshirëse.

Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e një procesi negocues transparent dhe përfshirës, i cili do të shoqërohet me përpjekje për rritjen e mirëbesimit. Pjesëmarrësit u pajtuan që të intensifikojnë përpjekjet për të themeluar zonën regjionale ekonomike. Të gjithë pjesëmarrësit rikonfirmuan vendosmërinë e tyre për të bashkëpunuar në kornizën e të ashtuquajturit Proces i Berlinit. Lidhshmëria, ekonomia, tregtia e lirë, bashkëpunimi në çështje të sigurisë, shkëmbimet e rinisë dhe pajtimi janë shtyllat kryesore të procesit. 

Ata rikonfirmuan mbështetjen për Zyrën Regjionale për Bashkëpunim të Rinisë (RYCO). Ata mirëpresin samitin e ardhshëm të Poznanjit në Poloni. Pjesëmarrësit u pajtuan që ta ngrisin bashkëpunimin e tyre në parandalimin e radikalizmit dhe luftimin e terrorizmit dhe trafikimit të jashtëligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta, si dhe migrimin jo të rregullt.

Pjesëmarrësit potencuan vendosmërinë e tyre të palëkundshme ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimit të rolit të shoqërnë civile dhe mediave të pavarura. Ata u pajtuan që reformat e qëndrueshme janë çelës i perspektives evropiane të regjionit dhe forcimit të qëndrueshmërisë së shoqërive ndaj sfidave të kohës sonë, si atyre të brendshme, po ashtu edhe ndaj atyre të jashtme. Ata riafirmuan vendosmërinë e tyre për stabilitet në regjion.