Korporatat energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë takohen për zhvillimin e sektorit të energjisë

Zhvillimi i sektorit energjetik në Kosovë e Shqipëri ishte temë diskutimi e takimit në Tiranë me administratorët e dy korporatave energjetike, Njazi Thaçi, Drejtor Menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Benet Beci, administrator i Korporatës Elektro-Energjetike Shqiptare (KESH).

Rëndësia e avancimit të bashkëpunimit të thellë në mes të dy vendeve si në aspektin e planifikimeve operative po ashtu dhe në atë teknik, ishte përfundimi i takimit të korporatave.

Po ashtu edhe planifikimi i investimeve të përbashkëta në krijimin e kapaciteteve të reja energjetike.

Qëllimi kryesor i takimit ishte koordinimi i një platforme të përbashkët të politikave të sektorit energjetik që është në interes të dy shteteve e mbi të gjitha në interes të konsumatorëve në mënyrë që të këtë stabilitet në furnizim dhe të ruhet çmimi i konsumatorit duke dominuar prodhimin vendor dhe ulur në minimum importin nga vendet e tjera.

Administratori i KESH-it, Benet Beci citohet të ketë thënë pas takimit se ky takim është pikënisje për takime të tjera.

“Është kënaqësi që po avancohet më tej në bashkëpunimin mes dy kompanive.  Ky takim do të vijoj më tej me takime të tjera të cilat do të kenë për qëllim shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve të vendeve respektive me qëllim arritjen e një tregu të qëndrueshëm energjetik gjë që shoqërohet me rritje të qëndrueshme ekonomike”, thotë ai.

Nga ana tjetër edhe drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi ka thënë se janë duke u bërë disa hapa konkretë për të çuar një hapë përpara bashkëpunimin në mes të KEK-ut dhe KESH-it.

“Bashkëpunimi me Korporatën Elektro-Energjetike Shqiptare ka vite që është duke funksionuar mirë dhe është duke avancuar më tej me hapa të ndjeshme në interesin jo vetëm të Korporatave por dhe të sektorit energjetik në përgjithësi. Pra jemi gjithnjë pranë njëri-tjetrit për t’i dalë në ndihmë në raste të emergjencave në shkëmbim të energjisë elektrike, kurdo që kemi nevojë për njëri tjetrin, dhe atë energji elektrike 1 me 1. Kemi filluar bisedimet për të avancuar këtë bashkëpunim edhe në aspektin teknik, për të parë mundësitë e financimit të përbashkët në kapacitetet e reja prodhuese”, ka thënë Thaçi.