Korenica: Guxim Minimal i Kushtetueses

Fisnik Korenica nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike tha për KALLXO.com se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i balancuar, po jo shumë i qartë.

“Në adresimin e kundërkushtetutshmërisë së parimeve të asociacionit, gjykata ka ndjekur një kurs tepër të balancuar (edhe politik),” tha Korenica.

Sipas tij në esencë,  gjykata i konkludon si në kundërshtim me frymën dhe shkronjën e kushtetutës parimet kryesore të asociacionit, por nuk e anulon në mënyrë eksplicite Marrëveshjen mbi Asociacionin.

“Gjykata e ka tregu një guxim minimal, vlerësuar në esencë marrëveshjen për asociacionin… asnjë nga parimet e asociacionit nuk janë kushtetuese dhe si rezultate janë kundërkushtetuese,” shpjegoi Korenica.

Korenica shtoi se ikjen nga detyrimi për ta anuluar, gjykata e arsyeton me një fakt banal, “që kinse Marrëveshja mbi Asociacionin nuk përbën akt juridik  (që është absurd në vetvete, sepse, po të mos prodhonte efekte juridike, marrëveshja as nuk do të vlerësohej fare nga gjykata)”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës me 22 dhjetor doli me  vendim se Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, nuk është në përputhshmëri të plotë me frymën kushtetuese të Kosovës.

Sipas këtij vendimi, marrëveshja nuk përputhet me nenin 3, ku hyjnë të drejtat dhe liritë themelore, si dhe të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre dhe me disa nene tjera.

“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre,” thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë kushtetuesja i dha aprovimin vazhdimit të themelimit të asociacionit, duke ia lënë në dorë qeverisë ndërtimin e këtij mekanizmi në pajtim me aktin më të lartë juridik të vendit.

Edhe Fisnik Korenica thotë se tash topi është në anën e qeverisë. Ai mendon se ekzekutivi duhet ta anulojë çdo substancë të marrëveshjes që është shpallur kundërkushtetuese me vendim të gjykatës.

“Prandaj, pavarësisht që gjykata nuk e merr guximin për ta anuluar marrëveshjen në mënyrë eksplicite, është në maturinë e qeverisë që të mos bartë një detyrim që tashmë është konstatuar të jetë në kundërshtim me kushtetutën,” thotë Korenica.

Kritik ndaj marrëveshjes për asociacionin pas vendimit të kushtetueses është edhe Xhavit Haliti, deputeti i PDK-së dhe nënkryetari i Kuvendit.

Për Halitin, të gjitha ato pika që nuk janë në përputhje me kushtetutën e vendit, duhet të cilësohen joekzistente.

“Të gjitha ato që cilësohen shkelje në atë marrëveshje, duhet të cilësohen inekzistente automatikisht. Qeveria do të duhej të shpallë që nuk ekzistojnë këto marrëveshje, kuvendi gjithashtu dhe normalisht që do të duhet të bisedohet edhe me negociuesit dhe zonjën Mogherini,” thotë Haliti.

Sipas Halitit situatën e krijuar me këtë marrëveshje pas vendimit të gjyktës e ka shkaktuar shkuarja në Bruksel e delegacioneve të papërgatitura të Kosovës.

Deputeti i LDK-së Nuredin Ibishi për marrëveshjen e 25 gushtit kritikon më shumë ish-kryeministrin Thaçi.

“Ky totalizim është nga pushteti i kaluar, nga mandati i kaluar, kështu ka qenë (diskutimi dhe votimi i marrëveshjeve të nënshkruara), dhe z, Mustafa  vetëm po e vazhdon,” thotë Ibishi.

Atij nuk i pëlqen edhe mënyra se si marrëveshjet po sillen për diskutim në Kuvend të Kosovës.

“Për çka po na thirrni, për çka me debatu, ajo ka qenë një punë e kryer,” thotë Ibishi.

Zgjim Hyseni, anëtari i Kryesisë së “Vetëvendosjes” thotë se tash kur u vërtetua nga kushtetuesja shkelja e kushtetutës nga qeveria, opozita edhe më lehtë do ta kundërshtojë ekzekutivin.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese përpjekjet kundër zajednicës dhe ato kundër qeverisë janë njësuar. Kjo sepse është kjo qeveri që për të mbrojtur Serbinë brenda Kosovës dëshiron të qeverisë nga pozitat antikushtetuese. Qeverisja antikushtetuese është sundim, e sundimin qytetarët e Kosovës nuk do ta lejojnë. Shkelësit e kushtetutës duhet të largohen menjëherë,” thotë Hyseni.

Ai kërkon përgjegjësi nga Kryeministri Mustafa.

“Isa Mustafa që krekosej duke u thirrur në gjoja trashëgiminë institucionaliste është rebeluar kundër institucioneve. Ai që ka shtypur popullin e tij për të mbrojtur një vendim antikushtetues  nuk mund t’i ikë përgjegjësisë duke u fshihur sikur struci në rërë,” thotë Hyseni.