Foto: Kallxo.com

Koordinatori kërkon pedagogë e psikologë në shkolla për trajtimin e dhunës në familje

Koordinatori Nacional Kundër Dhunës në Familje, Naim Qelaj, gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut tha se ka kërkuar nga komunat që të gjejnë zgjidhje për të financuar strehimoret e grave që janë viktima të dhunës.

Përveç gjetjes së zgjidhjes për funksionimin e këtyre strehimoreve, Qelaj kërkoi veprime edhe për të shikuar se si janë shpenzuar fondet e akorduara për këtë qëllim në të kaluarën.

“Jam duke kërkuar edhe nga komunat me pas një buxhet të veçantë për strehimore. Po ashtu po mendoj që duhet të bëjmë një komision me i monitoru shpenzimet sepse në të kaluarën janë keqpërdorë paratë dhe ky rast është në Krimet Ekonomike por sot nuk dua të flas më shumë”, tha Qelaj.

Në janar të këtij viti, disa strehimore të grave nëpër Kosovë ishin mbyllur për shkak të mungesës së mbështetjes financiare. Pas një presioni mediatik si dhe nga shoqëria civile, disa ditë më vonë, qeveria kishte ndarë 65 mijë euro për rifunksionalizimin e këtyre strehimoreve.

Duke folur për fenomenin e dhunës në familje, Qelaj tha se është planifikuar përfshirja edhe e nxënësve në përpjekjet për luftimin e dhunës në familje.

“Në shkolla është paraparë të jenë 80 pedagogë dhe psikologë dhe jemi në diskutim me Ministrinë e Arsimit për këtë gjë”, tha ai.

“Ideja për me qenë më i angazhuar më shumë dhe me marrë më shumë informata ke qenë është kur është parë në Raportin e Progresit që duhet më shumë të bëhet për barazi gjinore dhe dhunën në familje”, shtoi Qelaj.

Por Qelaj tha se Ministria e Arsimit nuk e ka plotësuar kërkesën për angazhimin e pedagogëve dhe psikologëve nëpër shkolla.

“Ministria e Arsimit nuk e ka plotësuar kërkesën për 80 pedagogë dhe psikologë në shkolla. Në Suharekë, për shembull, është e dhimbshme me humb jetë për shkak të sigurisë andaj plotësimi me pedagogë dhe psikolog është i nevojshëm”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se Ligji për dhunë në familje duhet të ndryshohet në tërësi.

“Ligji aktual ka qenë shumë i avancuar por gjithmonë do plotësim dhe ndryshim. Mendoj që ka me qenë i varur me Kodin Penal”, tha ai.

Duke folur për kompensimin e viktimave të dhunës në familje, Qelaj u shpreh se Ministria e Drejtësisë në faqen e saj në internet e ka formularin për kompensim, por ai mendon se ky formular duhet të thjeshtëzohet.

“Kompensimi ndodh në fazën finale dhe buxheti për këtë punë ju e dini se bëhet nga sigurimi i parave të konfiskuara”, tha Qelaj.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ndarë 60 mijë euro strehimoret. Ne nuk e kemi kaluar këtë proces pa i rilicencu strehimoret.

Po shpresojmë shumë që Ministria e Financave të ndaj një kod buxhetor për rastet e dhunës në familje.