Foto: Ilustrim

Kontrabandë me Migrantë, Arrestohet Shtetasi Turk

Nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale kontrabandim me migrantë dhe pas hetimeve të vazhdueshme, Policia e Kosovës njofton se sot ka arrestuar një person të dyshuar.

Personi i arrestuar në këtë rast është shtetasi turk me inicialet O. A., i cili në Kosovë ka qëndruar legalisht me qëllim, sipas tij, të marrjes me gastronomi.

Sipas Policisë, i dyshuari e ka keqpërdorur qëndrimin e tij, duke kontrabanduar shtetas aziatikë, e sidomos ata turq, drejt vendeve të BE-së, duke u siguruar atyre  garancione fiktive, kinse po vijnë në Republikën e Kosovës me qëllim biznesi apo vizite.

Policia njofton se shtetasi turk dyshohet se kontrabandimin e ka kryer kryesisht përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku janë zbuluar disa raste të tilla të kontrabandimit, kryesisht të familjeve turke, të cilave pas kryerjes së procedurave adekuate, u është refuzuar hyrja në Kosovë dhe janë kthyer prapa.

Për kontrabandimin e një familjeje nga Turqia deri në shtetet e BE-së i dyshuari besohet se ka përfituar para të gatshme në vlerë prej rreth 12.000 euro.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda , i dyshuari është dërguar në qendrën e ndalimit në Prishtinë për 48 orë.