Senati i UP-së - Foto: KALLXO.com

Kontestohet mandati i senatorëve studentë në UP

Pikë shtesë në rendin e ditës të mbledhjes së Senatit të Universitetit të Prishtinës ishin edhe kërkesat që ishin dorëzuar nga senatorët studentë për votëbesim ndaj Këshillit Drejtues të UP-së, si dhe kërkesa e nëntë deputetëve të Parlamentit Studentor, të cilët kontestonin mandatin e senatorëve studentë.

Senatori student Egzon Daku tregoi se kërkesën për votëbesimin e Këshillit Drejtues e kanë bërë në kohën kur kanë menduar se këta anëtarë nuk kanë një performancë të duhur. Mirëpo, sipas tij, tashmë kanë hequr dorë si pasojë e keqpërdorimeve.

Ai theksoi se Këshilli Drejtues duhet të jetë motor i Universitetit dhe situata reale, sipas tij, tregon që ka mangësi në këtë aspekt.

“Në bazë të ngjarjeve që u krijuan pastaj na ka bërë neve që të tërhiqemi prej kërkesës sepse është keqpërdorur edhe nga disa dekanë. Mendojmë që këshilli drejtues ka mungesë të theksuar të besimit dhe përmes votëbesimit mund të krijojmë një mesazh ndaj të gjithë atyre që vijnë dhe jo me tendencën me u keqpërdorë”, ka thënë Daku.

https://kallxo.com/senati-shtyn-shqyrtimin-e-avancimit-te-milaim-sejdinit/

Ndërsa, dekani i Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugolli, tha se nga praktika e kaluar ka vërejtur që pesëshja e votuar nga Senati zakonisht nuk i përfill kërkesat që marrin nga fakultetet.

Sipas tij, këtyre anëtarëve ‘pas emërimit po u krijohet një komoditet i tillë që ata janë të paprekshëm’.

“Mendoj që nuk është e nevojshme që të hynë në procedurë të votëbesimit sepse kanë mbetur pak muaj por për shkak të performancës po. Për shkak të disa kërkesave që kemi bërë dhe nuk kemi marrë përgjigje edhe unë jam i pakënaqur por mendoj që të mos hyjmë dhe t’i shkarkojmë sepse është shumë e ashpër”, deklaroi dekani.

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Dashamir Bërxulli, tha se e vlerëson që senatori student bëri një hap mbrapa sa i përket kësaj kërkese për votëbesimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues që vijnë nga Universiteti.

“Është momenti që duhet të ecin përpara. Pajtohem me dekanin Dugolli që foli për një shkëputje eventuale të anëtarëve ë Këshillit Drejtues, por kjo mendoj që vlen për të gjithë ata që zgjidhen nëpër pozita pra vlen edhe për dekanët”, theksoi ai.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se anëtarët e Këshillit Drejtues nga ana e Universitetit kanë qenë bashkëpunues. Madje ai kërkoi që të bëhet një krahasim me situatën në të cilën ishte UP-ja para tre vitesh.

“Nuk kemi kohë për ndryshime, në qershor i kemi zgjedhjet e reja dhe besoj që do t’i zgjedhim më të mirët”, shtoi rektori Dema.

Sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, tha se kërkesa tjetër vjen nga nëntë anëtarë të Parlamentit Studentor që të shkarkohen anëtarët e Senatit nga radhët e studentëve.

Në mbledhje u lexuan edhe arsyet e kërkesës së këtyre anëtarëve të Parlamentit Studentor.

“Janë të zgjedhur studentë përsëritës me notë mesatare nën tetë. Një senator është zgjedhur në mandatin e dytë në kundërshtim me statutin e UP-së pasi që ka qenë pjesë e Senatit të UP-së. Janë edhe dy anëtarë të komisionit zgjedhor studentorë të zgjedhur si senatorë, ku janë është shkelur rregullorja e punës së KQZ-së dhe parlamentit studentor. Nuk është thirrur asnjë mbledhje nga ana e kryetarit të studentëve dhe nuk është respektuar rregullorja për propozimin e senatorëve, madje në zgjedhjen e një senatori, një këshill nuk ka qenë i konsoliduar”, thuhet në kërkesën e tyre të lexuar nga sekretari Kelmendi.

https://kallxo.com/up-vendos-per-nivelin-e-gjuhes-se-huaj-qe-do-tu-kerkohet-kandidateve-per-master-e-doktorate/

Senatorët studentë thanë se kjo kërkesë është tendencioze dhe meqenëse është mbajtur votëbesimi dhe është rikonfirmuar kryetari i PS-së, atëherë nuk duhet shqyrtuar kjo kërkesë.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Arben Elshani, tha se kjo kërkesë që është dorëzuar në Rektorat së pari duhet të diskutohet brenda parlamentit.

“Nëse ato ankesa do të ishin të bazuara do të duhej të flisnin që nga tetori dhe jo tash”, deklaroi ai.

Mes tjerash, sekretari Kelmendi deklaroi se senatorët studentë ende nuk e kanë verifikuar mandatin e tyre, prandaj edhe nuk kanë të nënshkruar deklaratën etike.

Ai theksoi se mandati i këtyre senatorëve studentë nuk është verifikuar në Senat dhe kjo sipas Kelmendit, ka ndodhur si pasojë e mossjelljes së raportit për procesverbal të mbledhjes së mbajtur nga ana e parlamentit.

“Nëse Senati konstaton se zgjedhja e ndonjë anëtari është bërë në mënyrë jo të rregullt atëherë Senati kërkon nga njësitë akademike që të bëhen zgjedhje. Anëtarit të Senatit që i është kontestuar ose shtyrë vendimi për verifikim të mandatit, ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhje por pa të drejtë vote. Pra derisa nuk e sillni raportin që është respektuar rregullorja, mos votoni më tutje në Senat”, ka thënë Kelmendi.

KALLXO.com transmetoi LIVE mbledhjen e Senatit të Universitetit “Hasan Prishtina”.