Sinisa Karan, kryetar i Komisionit të Referendumit
Kontestohen Rezultatet e Referendumit të Serbëve të Bosnjës
Sinisa Karan, kryetar i Komisionit të Referendumit në Republikën Serbe, tha një konferencë për shtyp të hënën se pas numërimit të të gjitha votave, 99.81 për qind e votuesve i kanë thënë po vazhdimit të festimit të 9 janarit si ditën kombëtare të entitetit me shumicë serbe.
Karan tha se nga 1,219,399 personat me të drejtë vote votuan 680,116 persona, duke arritur një rezultat prej 55,67 për qind.
Megjithatë, disa ekspertë thonë se rezultati është i dyshimtë duke marrë parasysh faktin se referendumi në Republikën Serbe u zhvillua në një vakum ligjor dhe procedural, pa mbikëqyrjen e duhur.
Ata theksojnë gjithashtu se nuk ka asnjë mënyrë për të kontrolluar saktësinë e rezultateve të referendumit, të cilin gjykata kushtetuese e vendit e kishte ndaluar.
Një gazetar, Slobodan Vaskoviq, tha për mediat se ai besonte që shifrat e rezultatit të referendumit ishin të rreme.
“Referendumi ishte i pasuksesshëm dhe rezultatet janë falsifikuar. Ajo që u publikua nga komisioni i referendumit se rezultati përfundimtar ishte midis 59 dhe 60 për qind, thjesht nuk është i vërtetë,” tha Vaskoviq për uebsajtin e lajmeve Klix.ba. Vaskoviq tha se ai besonte që rezultati i vërtetë përfundimtar ishte midis 47 dhe 49 për qind.
”Njerëzit nuk votuan në referendum sepse ata e vunë re rrezikun e sigurisë dhe kthesave politike në Bosnjë dhe Hercegovinë,” shtoi Vaskoviq.
Ai gjithashtu pretendoi se Presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik, “në fjalën e fundit që mbajti për publikun mbrëmë (mbrëmjen e të dielës) tregoi se ai ishte i pakënaqur,” duke iu referuar komenteve nga Dodik se ata që nuk votuan duhet t’u vinte turp nga vetja.
Këshilli i Politikës së Demokratizimit, DPC, një OJQ që promovon llogaridhënien në politikën perëndimore të demokratizimit, ka ngritur pikëpyetje mbi logjistikën dhe ka thënë se votimi u zhvillua në një “vakum ligjor dhe procedural”.
Ai pyeste se si ishte e mundur që lista e votuesve përbëhej nga më shumë se 1.2 milionë banorë kur regjistrimi i vitit 2013 tregonte se në Republikën Serbe banonin vetëm 1,009, 946 persona mbi 18 vjeç.
Një shpjegim mund të ishte se votuesit serbë të Bosnjës në diasporë ishin përfshirë në shifrën më të madhe.
Por bashkëthemeluesi i DPC-së Kurt Bassuener tha për BIRN-in të hënën se rezultatet nga votuesit jashtë vendit ishin të dyshimta duke qenë se zyrat përfaqësuese të Republikës Serbe dhe klubet sociale që shërbenin si qendra votimi nuk kishin status zyrtar apo diplomatik.
“Do të isha skeptik për votimin jashtë vendit,” tha ai, duke theksuar se rezultati i referendumit do të duhej të ishte mbi 50 për qind që rezultati i tij të ishte i vlefshëm, edhe nëse do të ishte një referendum i zhvilluar në mënyrë ligjore. “Nuk ka mënyrë tjetër për ta ditur këtë, përveçse të besojmë fjalën e tyre, gjë që është e dyshimtë,” përfundoi ai.
Koalicioni i OJQ-ve i quajtur “Pod Lupom”, i cili do të mbikëqyrë zgjedhjet e ardhshme lokale në Bosnjë, tha për BIRN-in se ai nuk e mbikëqyri referendumin dhe për pasojë nuk mund të komentonte për rezultatet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi gjithashtu për BIRN-in se ai nuk mbikëqyri ndonjë aspekt të votimit. OSBE-ja në Bosnjë u kontaktua për ndonjë koment, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk u kthye asnjë i tillë.