Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Konkursi për drejtor të Policisë shpallet javën e ardhshme

Ministria e Punëve të Brendshme pritet që javën tjetër ta shpallë konkursin për pozitën e Drejtorit të Policisë së Kosovës.

Kjo pasi që më 20 prill të këtij vitit, ish- drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, u emërua në pozitën e Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

MPB tha se zgjedhja e drejtorit të ri të Policisë do të bëhet sipas dispozitave të Ligjit për Policinë.

“Zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës është e rregulluar me Ligjin për Policinë, neni 39, paragrafi 3: “Në rastet e lirimit, shkarkimit apo suspendimit të drejtorit të përgjithshëm, kryeministri menjëherë emëron njërin nga zëvendësdrejtorët e përgjithshëm si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e MPB-së drejtuar KALLXO.com.

Pozitën për drejtor po e ushtron zëvendës drejtori Naim Rexha.

Sipas një njoftimi që ka publikuar kjo ministri në ueb-sajtin zyrtar thuhet se konkursi për drejtor pritet të hapet javën e ardhshme.

“Konkursi për drejtor të përgjithshëm hapet nga MPB sipas legjislacionit në fuqi. Emërimi i drejtorit të përgjithshëm rregullohet me Ligjin 04/L-076 për Policinë, konkretisht me nenin 37 dhe Udhëzimin Administrativ për themelimin, përbërjen dhe procedurat e Komisionit të Lartë për Emërime në Polici. Sipas ligjeve dhe procedurave, Ministria e Punëve të Brendshme pritet që javën e ardhshme të hapë konkurs për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

http://kallxo.com/shpend-maxhuni-drejtor-i-aki-se/