Avokati i Popullit

Konkursi nga Institucioni i Avokatit të Popullit në pritje të vendimit të gjykatës

Në prill të këtij viti, Institucioni i Avokatit të Popullit ka shpallur konkurs për pozitën “Këshilltar- punëtor social”.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë për KALLXO.com se Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe të Ankesave në Institucionin e Avokatit të Popullit ka pranuar dy ankesa rreth këtij konkursi, por që të dyja janë refuzuar si  të pabazuara nga po i njëjti komision.

Njëra nga kandidatet e cila ka dërguar ankesë për këtë konkurs, ka treguar për KALLXO.com për parregullsitë të cilat ajo pretendon se janë bërë në këtë konkurs.

“Ditën kur është mbajtur testi me shkrim, pasi anëtarët e komisionit kanë bërë shpërndarjen e testit, njëri prej kandidatëve ka vërejtur se dy pyetje në test ishin të njëjta. Testi përbëhej prej gjithsej pesë pyetjeve. Pasi u kuptua se dy pyetjet janë të njëjta, anëtarët e komisionit kanë shkuar për t`i printuar testet tjera, përderisa në sallë ka qëndruar vetëm një prej anëtarëve të komisionit”, thotë M.T.

Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe të Ankesave në Institucionin e Avokatit të Popullit, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e kandidates M.T.

Ankesën e saj, kandidatja e pakënaqur thotë se e ka drejtuar edhe në Këshillim e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Në ankesën e saj drejtuar KPMSHCK-së thuhet se gjatë mbajtjes së testit, shumicën e kohës në sallë ka qëndruar vetëm një prej anëtarëve të komisionit, duke qëndruar ulur, me telefon në dorë dhe duke mos treguar interesim për t`i përcjellë kandidatët çfarë po bëjnë.

Ajo, po ashtu ka treguar për KALLXO.com edhe për mënyrën e formulimit të testit.

“Në test nuk kishte rubrikë ku duhej të shkruhej emri dhe mbiemri i kandidatit që i nënshtrohej testit. Po ashtu në test nuk kishte rubrikë ku shkruhej data e mbajtjes së testit. Mënyra e dorëzimit të testit është bërë në këtë formë:
“Emri dhe mbiemri i kandidatit është shkruar në një fletë të vogël dhe është futur në një zarf të vogël dhe është mbyllur. Zarfi i vogël  është futur në një zarf të madh bashkë me testin i cili përmbante vetëm pyetjet dhe përgjigjet por pa të dhënat e kandidatit. Në fakt testi mbetej anonimi”, thuhet në ankesën e kandidates M.T.

Ankesën e kandidates në fjalë, KPMSHCK e ka aprovuar si të bazuar dhe ka marr vendim për shfuqizimin e vendimit të Institucionit të Avokatit të Popullit.

“KPMSHCK me dy vendime të ndara, sipas ankesave të palëve, ka vendosur që të aprovojë ankesat si të bazuara, të shfuqizojë vendimet e Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të Ankesave në Institucionin e Avokatit të Popullit, të anulojë procedurën e rekrutimit  të datës 13 prill 2018 dhe të obligojë Sekretarin e Përgjithshëm të Institucionit të Avokatit të Popullit për zbatimin e këtyre vendimeve”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Por, pas vendimit të KPMSHCK-së, Institucioni i Avokatit të Populli ka ngritur padi për këtë vendim.

“Kundër vendimit të KPMSHCK, Institucioni i Avokatit të Popullit, në pajtim me Ligjin për Konfliktin Administrativ, ka ngritur padi për konfliktin administrativ në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Departamenti për Çështje Administrative si dhe ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të KPMSHCK”, thuhet në përgjigjen e IAP, dhënë për KALLXO.com.

Tutje, në përgjigjen e IAP thuhet se në lidhje me këtë padi, Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë dy aktvendime, me të cilat aprovohet si e bazuar kërkesa e Institucionit të Avokatit të Popullit për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të KPMSHCK deri në vendosjen e padive të paraqitura nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

“Arsyeja e moszbatimit të vendimeve të KPMSHCK qëndron në faktin se tanimë kemi dy vendime gjyqësore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të KPMSHCK, pra kemi të bëjmë me një proces të rregullt gjyqësor”, ka thënë IAP për KALLXO.com.