Tryeza rreth konsensusit politik për dialogun me Serbinë - Foto: KALLXO.com

Konjufca: VV nuk e mbështet konsensusin për ‘Zajednicën’

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se partia e tij nuk e mbështet konsensusin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Këtë deklaratë ai e dha gjatë tryezës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike, ku u diskutua raporti “Në Kërkim të Konsensusit – Dialogu Kosovë-Serbi dhe perspektiva zgjeruese e Bashkimit Europian”.

Duke komentuar rreth idesë së konsensusit për dialogun me Serbinë, Konjufca theksoi se nëse thoni se duhet të ketë konsensus për “Zajednicën”, Vetëvendosja nuk është aty.

Konjufca shtoi se konsensusi i partive politike për dialogun me Serbinë duhet të vlerësohet për nga përmbajtja e tij dhe kjo përmbajtje, sipas tij, duhet të paraqesë “konsensus për mbrojtjen e interesit nacional”.

Qëndrimi i Qeverisë, sipas nënkryetarit të Vetëvendosjes, ka ndryshuar në vitin 2014 “kur Qeveria ka thënë se nuk janë të mjaftueshme këto kompromise për shpallje (të pavarësisë) por duhen edhe kompromise të tjera”.

“Nuk duhet ta pranojmë këtë ta ndajmë shpalljen nga njohja”, shtoi ai.

Po ashtu ai tha se në qoftë se Serbia do të hyjë në BE-së duhet t’i japë diçka Kosovës.

Ai këtu e përmendi lejimin e shtrirjes së sovranitetit në veri.

Ndërsa, Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se nuk ka nevojë për marrëveshje të tjera përveç njohjes reciprokeve të shteteve.

Ai foli edhe për krijimin e një ekipi që do t’i analizonte marrëveshjet me Serbinë.

“E kam parasysh krijimin e një ekipi të analizës së marrëveshjeve të deritanishme në mënyrë që marrëveshja të ketë sukses”, u shpreh Isufi.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së shtoi se Serbia e ka për obligim që të mos e pengojë Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ndërkaq, në lidhje me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe deputeti i AAK-së tha se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës mund të krijohet një asociacion.

Ndërsa, deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, e përmendi presidentin Thaçi si faktor të pushtetit.

“Prapa krejt këtij debati nuk fshihet ajo se a duhet ta udhëheqë presidenti dialogun por se a duhet ta udhëheqë Hashim Thaçi dialogun”, tha ai.

Ai u shpreh se Hashim Thaçi edhe në kohën kur ka qenë kryeministër edhe tani “është epiqendër e pushtetit”.

“Është iluzion të mendohet se me të ndërruar pozicionin apo se ndërrohet qasja”, tha Sherifi.

Po ashtu, rreth konsensusit të partive ai u shpreh se duhet të ketë konsensus.

Sherifi tha se është me rëndësi që Kosova të tregojë te “të tjerët (bashkësia ndërkombëtare) se kjo e jona është e drejta”.

Ndërkaq, analisti politik, Behlul Beqaj, tha se rezultatet e dialogut ose po hiperbolizohen ose po mohohen nga krahë të ndryshëm politikë.

Po ashtu ai e përkrahu idenë e analizimit të marrëveshjeve të deritanishme.

“Vazhdimi i dialogut nuk mund të ndodhë pa e bërë një skanim të gjendjes reale”, tha Beqaj.

Sipas tij, Asociacioni po trajtohet si mjet i Serbisë për shtrirje të ndikimit në Kosovë.

Por, sipas Beqajt duhet të shihet se çfarë kushtesh mund të vendosë Kosova.

“Çështja më e rëndësishme është kushtëzimet që mund të bëhen”, tha ai.

Ndërsa, rreth konsensusit ai u shpreh se “duhet të krijohet një ekip konsensual”.

E Naim Rashiti nga Grupi për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit, BPRG, u shpreh se “jo gjithçka është në dorën e Kosovës”.

Ai shtoi se pret tensione gjatë procesit të dialogut me Serbinë.

“Jam i bindur që gjatë të gjithë procesit do të ketë tensione”, tha Rashiti.

Por, ai shtoi se synimet e dialogut duhet të jenë më të qarta.

Po ashtu, ai tha se duhet të ketë “manual të punës” për dialogun me Serbinë.