Konjufca: Për Thaçin më e rëndësishme është një fotografi me Vuçiqin se sa platforma

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka folur sot në Kuvend për dialogun final në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për Thaçin si kryenegociator i këtyre bisedimeve.

Sipas Konjufcës, për Hashim Thaçin më e rëndësishme është një fotografi me Vuçiqin se sa platforma për dialogun.

“Për presidentin tonë ma e rëndësishme është me i shtrëngu duart dhe me bo një fotografi me Vuçiqin se sa platforma se çka ka me mbrojtë atje”, tha Konjufca në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit.

Madje, Konjufca tha se kushdo që bënë eksperimente me interesat e Kosovës, të mos kthehet fare.

“Kush bënë eksperimente me interesat e Kosovës, më mirë është mos me u kthy fare në shtetin tonë”, tha në mes tjerash Konjufca, shkruan KALLXO.com.

Ai ka renditur disa arsye se pse Lëvizja Vetëvendosje mendon që Thaçi nuk duhet të jetë në krye të bisedimeve me Serbinë.

Sipas tij, Thaçi është duke u frikësuar nga Gjykata Speciale.

“Ai jashtë mase është duke u frikësuar nga Gjykata Speciale, frika e tij e madhe për vetveten mund ta dëmtoj Kosovën në këtë proces. Edhe ne jemi kundër Gjykatës Speciale, ama Gjykata Speciale nuk luftohet duke i trajtuar interesat e Kosovës si monedhë e kusurit në raport me Serbinë”, tha tutje Konjufca.

Ai e ka quajtur Thaçin si një person që është i paqëndrueshëm për ti mbrojtur interesat kombëtare të Kosovës.

“U çu një mëngjes edhe e shpalli vetveten të mandatum. Kjo nuk është në rregull në një shtet demokratik, qysh po pretendon me qenë Kosova. Pa një proces demokratik, pa e mandatu kurrkush, pa fol pa asnjë subjekt politik, thotë mjafton që mu më ka ardhëm ftesa prej Mogherinit”, tha tutje Konjufca.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar me deklarime jashtë rendit të të ditës.

Në rend të ditës sot është edhe interpelanca e Kryeministrit Ramush Haradinaj për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë “Bechtel&Enka” për kontratën për ndërtimin e autostradës Arbën Xhaferi