Konjufca: Mënyra e shpenzimeve për festën e pavarësisë gërditëse

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë debatit parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara tha se ajo që është tronditëse ka të bëjë me festën e pavarësisë.

Konjufca tha se gjithmonë festa e pavarësisë shënohet me shpenzimet prej fondit të shpenzimeve të paplanifikuara.

“Kjo qeveri a nuk e di se kur është festa e pavarësisë, a qysh është puna. A e di qeveria që data e pavarësisë nuk luan, për çdo vit është me 17 shkurt. Qysh është e mundshme që shpenzimet për pavarësi gjithmonë të shpenzohen prej këtij fondi dhe gjithmonë me lëkundje shumë të mëdha financiare”, tha Konjufca.

Sipas tij një emblemë e thjeshtë është paguar së paku 5 euro.

“Kudo shkoni kqyrni ajo emblemë kushton mes 50 cent deri 1 euro maksimum, se ka edhe më të lira. Veç nëse është emblema e veshur me ari se përndryshe nuk ka mundësi ashtu”, tha Konjufca.

Sipas tij tenderi për pavarësi jepet për t`u kënaqur ndonjë militant të cilit i jepet ky tender.

“E për çfarë ngjarje për pavarësinë e Kosovës kjo është e gërditshme”, tha ai.

Sipas Konjufcës qeveria ka dhënë para për projekte që nuk ka asnjë përgjegjësi.