Konjufca: Jam më Optimist se Para 10 Ditëve

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është deklaruar për media në lidhje me takimin që është duke u mbajtur në selinë e partisë.

Ai thotë se temë diskutimi deri më tani kanë qenë dorëheqjet e disa prej anëtarëve të VV-së.

“Diskutimet po vazhdojnë. Pika e diskutimeve ishte arsyeja e dorëheqjeve, versioni i të dorëhequrve. Kemi folë secili nga 10 minuta. Për atë na ka marrë kohë”, tha Konjufca.

Të dorëhequrit e deritanishëm kanë shkruar nga një letër dorëheqjeje, ku kanë dhënë arsyet e tyre.

Megjithatë ata janë deklaruar përsëri sot në mbledhjen e kryesisë me grupin parlamentar duke e dhënë versionin e tyre veç e veç.

I pyetur se a ka përafrime të qëndrimeve me të dorëhequrit, Konjufca u shpreh se është më optimist se ka qenë.

“Jam më optimist se që kam qenë para 10 ditëve”, u shpreh ai.

Edhe pse ishte paraparë që në këtë mbledhje të diskutohej edhe për Demarkacionin e Specialen, Konjufca s’beson se do të ketë kohë.

“Kanë qenë edhe disa të tjera, po m’duket nuk do të arrijmë sonte”, tha Konjufca.

Diskutimet në këtë mbeldhje do të vazhdojnë prapë, pasi që këto deklrata Konjufca i dha në pauzë.

KALLXO.com e transmetoi LIVE deklaratën e Glauk Konjufcës.