Konjufca: Astritin e Vrau Mungesa e Shtetit

Në debatin e Kuvendit ku po diskutohet për vdekjen e Astrit Deharit, Glauk Konjufca tha se këtë aktivist të Vetëvendosjes e vrau mungesa e shtetit.

“Ndonëse pajtohemi me një konstatim i cili po përfolet kohës së fundit se Deharin e vrau shteti, më duhet të them se Astritin e vrau pushteti dhe mungesa e shtetit,” tha Konjufca.

Ai konstatoi se Deharit vdekja nuk i ndodhi më 5 nëntor, por në momentin kur ai u arrestua nën dyshimin për terrorizëm.

Konjufca foli edhe për seancën e sotme që u caktua nga 40 nënshkrimet e LDK-së e PDK-së të cilat më herët për të njëjtën seancë nuk mundi t’i sigurojë “Vetëvendosja”.

“Unë e di që ky pushtet është i profilizuar në kidnapime, por kur nuk e kam menduar që kjo seancë do të kidnapohet. Kjo seancë u kidnapua nga PDK e LDK,” tha Konjufca.

Për vdekjen e Deharit shoqëria civile me një peticion kërkoi këtë seancë, hetim të pavarur, por edhe dorëheqjen e ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme.

Konjufca tha se seanca për Deharin u mundësua tash nga PDK-ja e LDK-ja për t’u ikur kërkesave të peticionit.

“Peticioni i qytetarëve nuk kërkon veç debat, por kërkon edhe adresimin e përgjegjësisë. Nuk është e rëndësishme veç të flasim në këtë seancë. Pikërisht po doni me e shmang këtë,” tha Konjufca.

Ai deklaroi se pas pesë nëntorit-ditës së vdekjes së Deharit Kosova më nuk mund të jetë e njëjta.