Kongresisti amerikan Eliot Engel po qëndron në Serbi

Kongresisti amerikan, Eliot Engel po qëndron për vizitë në Serbi. Ai u takua të mërkurën me nënkryetarin e Kuvendit të Serbisë, Vladimir Marinkoviq dhe një grup deputetësh serbë.

Engel është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Eliot Engel është kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe ka qenë i përfshirë në zhvillimet në Ballkan që nga fillimi i viteve të 90-ta.

Presidenti i Serbisë ishte takuar më parë me Engel, gjatë Konferencës së 55-të Sigurisë në Mynih, në muajin shkurt. Me atë rast, fokusi i bisedës ishte rasti ende i pazgjidhur i vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi.

Gjatë ditës, Vuçiq ka thënë se situata në veri të Kosovës, është komplekse dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë, veçanërisht në spitalin e Mitrovicës së Veriut.

Vuçiq tha se vështirësitë më të mëdha të furnizimit në atë pjesë janë për shkak të taksës së vendosur nga Prishtina, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Duke komentuar hapjen e pikave të shitjes nga ana e autoriteteve të Prishtinës, pasi për dy ditë me radhë, afaristët serbë i mbyllen dyqanet, presidenti Vuçiq tha se kjo është bërë me qëllim që “serbët të harrojnë lidhjen me atdheun e tyre”.

“Objektivi kryesor i këtyre masave të Prishtinës, është ta marrë veriun e Kosovës, dhe të dëbojë popullsinë serbe nga mbarë Kosova”, tha Vuçiq.

Të hënën, afaristët serbë në veriun e Kosovës, i mbyllën dyqanet pasi thanë se nuk posedojnë furnizim me mallra, për shkak të taksës 100 për qind të vendosur nga autoritetet në Prishtinë për mallrat nga Serbia.

Qeveria e Kosovës më pas vendosi të hapë pika të shitjes mobile për banorët e asaj pjese.

Gjatë një takimi të martën në mbrëmje, të Shoqatës së Afaristëve të veriut, u vendos që të mërkurën të hapen gjitha pikat e shitjes në veri.

Autoritetet në Serbi disa herë kanë thënë se veriu i Kosovës po ballafaqohet me “krizë humanitare”, por këto pretendime janë kundërshtuar nga ana e institucioneve të Kosovës, duke e quajtur këtë “inskenim të Beogradit”.