Foto: Kallxo.com

Konflikti te ‘Sami Frashëri’: Prokuroria e mbrojtja me kërkesa të ndryshme për të akuzuarit

Në gjykimin ndaj Adhurim Krasniqit dhe Fatbardh Abazit, të akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, Prokuroria kërkoi që dy të akuzuarit të shpallen fajtorë, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin nga akuza.

Prokurori Ilaz Beqiri në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se provat në këtë proces “në mënyrë të plotë dhe bindëse” kanë vërtetuar se dy të pandehurit kanë kryer veprën penale e cila u vihet në barrë.

Sipas tij, një gjendje e tillë faktike është vërtetuar nga deklaratat e dëshmitarëve.

“I propozoj Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit dhe me rastin e këtij sanksioni penal të merren parasysh edhe rrethanat rënduese, pasi dy të pandehurit kanë të kaluar kriminale”, tha prokurori Beqiri.

Mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Florent Latifi, tha se Prokuroria aktakuzën e saj  e ka mbështetur kryesisht në deklaratën e njërit nga të dëmtuarit të dhënë në shqyrtimin gjyqësor.

Sipas tij, asnjëherë Prokuroria nuk përmendi dy deklarata tjera të dhëna paraprakisht nga i dëmtuari Nazmi Uka.

Ai më pas shtoi se i dëmtuari Uka, në një deklaratë të dhënë në Polici kishte thënë se nuk e dinte kush ka shtënë në të, ndërsa në deklaratën tjetër kishte thënë se vetëm nga mbrapa e ka parë atë që ka gjuajtur, por asnjëherë në fytyrë.

Sipas avokatit Latifi, e gjitha kjo e ka vetëm një shpjegim sepse “të dëmtuarit i është thënë nga dikush thuaj se ky është personi (Adhurim Krasniqi) i cili ka shtënë”.

Prandaj avokati i propozoi gjykatës se në rast se ajo gjen se i mbrojturi i tij është fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet, atëherë më rastin e shpalljes së aktgjykimit të njëjtit ti ndërpritet masa e paraburgimit.

Kurse i akuzuari Adhurim Krasniqi deklaroi se është i pafajshëm dhe se nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet prandaj kërkoi nga Gjykata ta shpallë të pafajshëm.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Fatbardh Abazi, avokati Mentor Neziri, në fjalën e tij përfundimtare tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se klienti i tij ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Ai kërkoi nga gjykata që klienti i tij të lirohet nga akuza sepse, sipas tij, nuk është vërtetuar se ai ka kryer veprën penale.

Vet i akuzuari Fatbardh Abazi deklaroi se nuk ka të bëjë kurrgjë me këtë vepër penale.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datën 28 mars.

https://kallxo.com/mbrohen-ne-heshtje-te-akuzuarit-per-vrasje-ne-tentative-afer-gjimnazit-sami-frasheri/

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Adhurim Krasniqi për veprat penale – vrasje e rëndë në tentativë, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve,  dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë, ndërsa të akuzuarin Fatbardh Abazi për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Në aktakuzë thuhet se më 12 qershor 2018, përballë gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, dy të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake kishin tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarin Zenel Jasharin dhe kishin rrezikuar jetën e të dëmtuarit Nazmi Uka.

Më tutje në aktakuzë thuhet se me veturën Audi A3, pronë e të akuzuarit Fatbardh Abazi, të cilën e kishte drejtuar i akuzuari Adhurim Krasniqi, kishin përcjellë lëvizjet e të dëmtuarit Zenel Jashari dhe në momentin kur ai kishte qenë në veturën e tij Ford të cilën e kishte drejtuar i dëmtuari Nazmi Uka, i akuzuari Adhurim Krasniqi kishte dalë nga vetura dhe më armë në dorë ishte afruar te pasagjeri dhe pasi dritarja kishte qenë e hapur e kishte futur dorën brenda në veturë dhe kishte shtënë 15 herë në drejtim të të dëmtuarit Zenel Jashari.

Për shkak të këtyre të shtënave, dy të dëmtuarit kishin pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa i akuzuari Krasniqi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i akuzuari tjetër Abazi e kishte kthyer veturën me shpejtësi në drejtim të qendrës dhe kishin arritur të ikin në drejtim të panjohur.

Ata për një kohë kishin qëndruar në arrati.

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!