Konflikti i djalit të Naser Kelmendit me Elshanët ende pa rast në prokurori

Një video e cila u publikua sot në KALLXO.com, në të cilën djali i Naser Kelmendit publikisht kërcënonte me jetë pjesëtar të familjes Elshani, nuk u hap si rast në prokurorinë e Pejës.

Këtë për KALLXO.com e konfirmoi prokurori  Ersan Qavolli.

“Video është analizuar nga ana e prokurorit, dyshohet që vepra është kryer ne shtetin e Bosnjës dhe meqenëse kjo vepër ndiqet sipas propozimit të palës së dëmtuar, na mungon propozimi dhe për momentin nuk do te hapim rast”, tha Qavolli.

Ai shtoi se nëse pala e dëmtuar propozon ndjekjen penale atëherë Prokuroria është e gatshme ta trajtoj rastin.

“ Nëse paraqitet propozimi i palës së dëmtuar ne do ti ndërmarrim veprimet e duhura”, tha prokurori.

KALLXO.com, kontaktoi edhe me policinë e Pejës, në lidhje me këtë rast.

Nga policia u tha se nuk ka pranuar asnjë reagim në lidhje me ketë video.

“Në raportin 24 orësh të Policisë, del që nuk është raportuar asgjë në lidhje me këtë rast, dhe nëse do të raportohet rasti do të trajtohet nga ana jonë”, tha zëdhënësi i policisë Xhevat Ibraj.

 

15/02/2019 13:30

Djali i Naser Kelmendit, Elvis Kelmendi me anë të një video të postuar në Facebook, ka paralajmëruar Demë Elshanin pjestarin Elshani nga Ozdrimi i Pejës.

Kelmendi në këtë video fyen me sharje të rënda familjen Elshani duke thënë se ata nuk guxojnë të dalin lirshëm. Ai ka kërkuar të dijë vendodhjen e Demë Elshanit.

“Kallxom ku je dhe kqyre a po të vi. Unë dal veq vetë e ti nuk ki …”. Ai i ka sfuduar Elshanët të publikojnë video nga vendi ku ata ndodhen.

Video është publikuar në këtë link

Familjet Elshani dhe Kelmendi janë në hasmëri që nga viti 2000.

Që nga koha kur filloj hasmëria mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 29 sulme, të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit.

Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Sulmi i 30-të dyshohet se ndodhi një natë para vitit të ri 2019 tek parku i vogël i qytetit, ku Xhevdet Kelmendi ishte duke lëvizur me veturë së bashku me shokun e tij Besim Lajqin.

Nga ky sulm mbeti i plagosur Besim Lajqi, ndërsa prokurorja tha se cak i sulmit ishte Xhevdet Kelmendi. Këtij koflikti sipas videos si duket I është bashkuar edhe djali i madh i Naser Kelmendit, Elvis Kelmendi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për konfliktin e familjes Elshani dhe Kelmendi.

https://kallxo.com/historia-e-konfliktit-elshani-kelmendi-qe-la-23-te-vrare/