Konfiskohet pasuria e 46 bizneseve borxhlinj ndaj ATK-së

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj të gjithë tatimpaguesve të cilët kanë tatime të pa shlyera.

ATK përmes një komunikate për media njofton se, vetëm gjatë muajit mars si rezultat i mos kryerjes së obligimeve tatimore, janë zhvilluar aktivitete për konfiskimin e pasurisë së 46 tatimpaguesve, të cilët kanë pasur obligime ndaj ATK-së në vlerë 1,644,679.00 euro.

“Nga aktivitetet e zhvilluara është konfiskuar pasuria e tatimpaguesve, të cilët nuk janë përgjigjur kërkesave ligjore nga ATK, siç janë lëshimi i letër-kujtesave, dorëzimi i barrëve tatimore në kadastër, pasurin e paluajtshme, bllokimi i llogarive bankare, bllokime në Thesar dhe në Doganë, vendosja e pengut, kërkesa për ndalesë të personit përgjegjës në kufi,  si dhe veprime të tjera të cilat parashihen në Legjislacionin Tatimor”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, ATK ka paralajmëruar që në vazhdimësi do të ndërmarrë veprime të ngjashme për të gjithë tatimpaguesit të cilët nuk i kryejnë obligimet tatimore.

“Motoja e përgjithshme e punës tonë është krijimi i një mjedisi, i cili mbështet fuqishëm përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, andaj inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit që t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore, në mënyrë që mos të bëhen objekt i veprimeve të mbledhjes së detyrueshme”, thuhet në komunikatën e ATK-së.