Ilustrim: Paratë e konfiskuara nga bastisja, Foto: Policia e Kosovës

Konfiskohen rreth 40 mijë euro false, arrestohen dy persona

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës si të dyshuar për falsifikim të parasë.

Me anë të një njoftimi policia ka sqaruar se pas një operacioni policor, është arritur arrestimi i dy personave për falsifikimin e 390 mijë e 300 eurove.

Të arrestuarit sipas policisë janë 26 vjeçari F. B dhe 38 vjeçari me inicialet I. S të dy shtetas kosovar.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar 393 kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara prej 100 euro, vlera e të cilave arrin 39 mijë e 300 eurove.

“Me urdhër verbal të gjyqtarit, nga Gjykata Themelore në Pejë, janë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve, me ç’rast janë sekuestruar dy (2) telefona celularë, një automjet i tipit Golf V ngjyrë e zezë me targa vendore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me aktvendim 38 vjeçari I.S dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërsa personi 26 vjeçari lirohet në procedurë të rregullt.