Ilustrim

Konfiskohen mbi 33 Kg Marihuanë

Policia e Kosovës njofton se në dy raste të ndara ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme narkotikësh që dyshohet të jetë marihuanë.

Në rastin e parë, operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Ferizajt, ku njësitë policore të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, kanë kontrolluar në një oborr dhe në objekte përcjellëse në tri vende të ndara kanë gjetur dhjetë kavanoza të mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Pas matjes pesha e përgjithshme e substancës narkotike të llojit marihuanë së bashku me kavanoza është 13 kilogramë e 598 gramë.

Në rastin e dytë, sot, gjatë punëve operative në terren Policia ka siguruar informacione se dy të dyshuar janë duke u marrë me trafikim të substancave narkotike.

Me urdhër të prokurorit është bërë bastisja e shtëpisë së njërit nga të dyshuarit, me ç’rast është gjetur sasi e konsideruar e narkotikëve.

Sipas Policisë, në këtë rast janë arrestuar të dyshuarit B.V. dhe D.V.

Gjatë bastisjes në kulmin e shtëpisë së të dyshuarve janë gjetur 19 paketime të llojit marihuanë. Në cilësi të provave materiale janë gjetur gjithsej 19 kilogramë e 699 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Lidhur me rastin me vendim të prokurorit i dyshuari i parë dërgohet në qendrën e mbajtjes, kurse i dyshuari i dytë lirohet në procedurë të rregullt.