Armët e konfiskuara në rajonin e Drenasit

Konfiskohen Armë pa Leje në Drenas

Në një operacion bastisje të ndërmarrë dje nga stacioni policor i Drenasit janë gjetur një sasi e konsiderueshme e armëve automatike.

Kjo është bërë e ditur sot në një konferencë për media të mbajtur nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë Agron Borovci tha që këto armë janë gjetur si rezultat i një pune operative nga Policia e Kosovës.

“Ky operacion ka ardhur si rezultat i një pune operative që ka bërë Policia e Kosovës ekskluzivisht për këtë operacion, si dhe për punën operative që ka ndërmarrë gjatë gjithë vitit të kaluar që në fokus ka pasur gjetjen e armëve dhe municionit dhe largimin e tyre nga duart e personave të caktuar”, tha Borovci.

Armët e konfiskuara në rajonin e Drenasit
Armët e konfiskuara në rajonin e Drenasit

Ndërkaq togeri Driton Morina  tha se njësitet e specializuara të policisë ndërmorën një aksion pas informatave se në fshatrat Llapushnik dhe Korroticë të Drenasit mund të ketë armë dhe municione.

“Në lokacionin e parë në fshatin Llapushnik janë gjetur dy armë automatike mitraloz, një pushkë gjuetie, 11 fishek të kalibrave të ndryshëm si dhe katër gëzhoja, kurse në lokacionin e dytë gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një armë automatike mitraloz, një mbajtës i mitralozit me dy tyta të metalit, 28 fishek të kalibrave të ndryshëm. Kurse në fshatin Korroticë e epërme gjate bastisjes janë sekuestruar 8 armë automatike mitraloz”, tha Morina.

Ai tha se gjatë procesit të hetimit të këtij rasti policia ka ngritur dyshimet se municionet dhe mjetet shpërthyese mund të ketë edhe në një lokacion tjetër, në fshatin Korroticë e lartë, në afërsi të Goleshit.

“Gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të këtij vendi janë gjetur 25 mina anti-tank 4200 gramë materie shpërthyese tritol, të gjitha këto mjete janë tërhequr nga ana e FSK-së dhe e KFOR-it”, tha Driton Morina.

Policia thotw se ka shoqëruar tre persona të dyshuar, të cilët pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit, janë liruar në procedurë të rregullt.