Ilustrim

Konfiskohen armë e municione në Skenderaj, arrestohet një person

Njësia e Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Skenderaj ka konfiskuar dje armë dhe municion, si dhe ka arrestuar një person të dyshuar në Skenderaj.

Në bazë të një urdhër- kontrolli të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, policia ka realizuar kontrollin policor në shtëpinë e të dyshuarin, ku si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar disa armë dhe municion.

Policia ka njoftuar se ka konfiskuar dy pushkë ajrore, një pistoletë, një pushkë, një pushkë gjuetie, nëntë  copë fishekë, një tytë e pushkës ajrore, një  thikë ushtarake, dy dylbi të pushkës, një thikë dhe një boks hekuri.

Përveç konfiskimit të gjërave të kundërligjshme,  gjatë kohës së bastisjes i dyshuari ka kanosur zyrtarët policorë në kryerje të detyrës zyrtare.

Pas procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor. Ndërsa ndaj tij janë  iniciuar raste për ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘kanosje’.