Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Konfiskohen 48 kilogramë kanabis në Vlorë

Policia e Shtetit në Vlorë ka finalizuar operacionin policor “Prita” duke goditur një tjetër tentativë në fushën e kultivimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike.

Policia ka sekuestruar 48 kilogramë kanabis në një banesë, si dhe 97 fidanë në kubikë. Po ashtu, Policia ka arrestuar edhe dy persona.

“Në kuadër të luftës për parandalimin e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, kontrollit të pandërprerë të territorit nga ana e shërbimeve policore, thirrjes së qytetarëve për të bashkëpunuar me Policinë në luftë kundër paligjshmërisë, bazuar në informacionet e adresuara nga qytetarët se dy shtetas dispononin lëndë narkotike dhe po përgatiteshin për të kultivuar bimë narkotike, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve pranë DVP Vlorë, në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë është organizuar dhe zhvilluar operacioni policor i koduar “Prita””, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Operacioni është zhvilluar në lagjen “24 Maji” Vlorë, ku në një banesë është gjetur dhe sekuestruar 48 kilogramë lënde narkotike, si dhe 97 fidanë kanabis të mbjellë në kubikë. Gjithashtu u sekuestruan edhe dy automjete, aparate celular, një peshore elektronike e sende të tjera.

Policia ka arrestuar s në këtë banesë shtetasit Z.I., 36 vjeç dhe E.B., 30 vjeç, të dyshuar si autorë përgjegjës në lidhje me këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të këtyre shtetasve për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.