FOTO - Policia e Shtetit

Konfiskohen 44 kg drogë dhe 20 mijë euro

Një sasi prej 44 kg kanabis është konfiskuar në Korçë. Policia e Shqipërisë, ka arrestuar poseduesin e lëndës narkotike me inicialet Th. Dh., 34 vjeç, banues në Korçë, i cili ka tentuar të largohet, por është kapur pas ndjekjes nga Policia.

“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, organizuan dhe finalizuan operacionin antidrogë të koduar “Ndjekja”. Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Th. Dh., 34 vjeç, banues në Korçë, i cili ka tentuar të largohet, por është kapur pas ndjekjes nga Policia”, njofton policia e shtetit.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Benz”, të cilin ky shtetas drejtonte, iu gjetën 46 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, kurse gjatë kontrollit në banesën e tij, iu gjetën e sekuestruan edhe 20 mijë euro si edhe 10 aparate celulare.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.