Konfirmohet Votimi për Kosovën në FIFA

Këshilli i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) i ka dhënë dritë të gjelbër votimit për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në këtë organizatë botërore.

Votimi për aplikacionin e Kosovës nga 209 vendet anëtare të FIFA-s pritet të bëhet të premten në kongresin që do të mbahet në Mexico City.

Vendimi ka ardhur një javë pasi FFK u pranua si anëtare me të drejta të plota në UEFA me 28 vota në favor, 24 kundër dhe 2 abstenime.

Në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s u vendos që në bazë të vendimeve të fundit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të pranohet kërkesa për plotësimin e rendit të ditës së Kongresit të 66 për pranimin e aplikacioneve për anëtarësim të Gjibraltarit dhe Kosovës.

“Kongresi rekomandoi që Kongresi ta pranojë Kosovën dhe Gjibraltarin si anëtarin e 210-të dhe 211-të të FIFA-s”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Pranimi eventual i këtyre dy vendeve në FIFA nënkupton edhe pjesëmarrjen e tyre në garat kualifikuese për kampionatin botëror që do të mbahet në vitin 2018 në Rusi.

“Është konfirmuar se që të dy federatat, nëse pranohen, do të jenë në gjendje të marrin pjesë në kualifikimet për kampionatin botëror 2018 ndërsa UEFA është caktuar t’i definojë modalitetet e integrimit të tyre në garat preliminare”, thuhet në komunikatë.