Benjamin Netanyahu

Konfirmohet fitorja e Benjamin Netanyahut në Izrael

Komisioni Zgjedhor në Izrael ka konfirmuar se pas numërimit të gjitha votave nga zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 9 prill, partia Likud e kryeministrit, Benjamin Netanyahu ka fituar më së shumti ulëse në parlament.

Në bazë të një marrëveshje koalicioni, partia Likud dhe aleatët e saj do të kenë një shumicë prej 65 votash në parlamentin me 120 vende të Izraelit.

Kjo i mundëson Netanyahut të zgjedhet për herë të pestë kryeministër i Izraelit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe gruaja e tij Sarah gjatë festimeve të fitores në zgjedhjet e përgjithshme.

Netanyahu dhe partia e tij Likud kishin për rival partinë e “Bardhë e Blu” të kryesuar nga Benny Gantz.

Një faktor i rëndësishëm në fitoren e Netanjahut ishte pjesëmarrja e ulët në mesin e banorëve arabë të Izraelit, që ishte nën 50 përqind. Shumë arabë bojkotuan zgjedhjet në shenjë proteste ndaj asaj që ata perceptojnë si politika anti-arabe të Netanjahut.

Në një fjalim menjëherë pasi dolën rezultatet e para të zgjedhjeve të 9 prillit, kryeministri Netanyahu tha se do të formojë një qeveri të djathtë dhe do të jetë kryeministër i të gjithëve.

“Do të jetë një qeveri e krahut të djathtë, por unë do të jem kryeministër për të gjithë. Unë jam shumë i prekur që populli i Izraelit më dha votën e besimit për herë të pestë dhe një votë edhe më të madhe të besimit se zgjedhjet e mëparshme”, pati deklaruar Netanyahu.