Konfirmohet Aktakuza ndaj Prokurorit të Kositëses dhe Çadrës

Prokuroria Themelore në Gjilan Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prizren, kundër dy të pandehurve, Bajram Hamitaga dhe Luan Delili për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar dhe frikësimit gjatë procedurës penale.

Prokuroria konfirmoi se sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, i pandehuri i dytë, Luan Delili, më 08.04.2016, me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë B.H., ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, tha për KALLXO.com se lëndën do ta procedojnë në Gjykatën Themelore të Gjilanit.

“Ne sapo kemi pranuar aktakuzën e ngritur ndaj prokurorit Hamitaga. Si Gjykatë do të kërkojmë të tërhiqemi  për shkak se kemi punuar së bashku. Unë si kryetar do të provojë që për këtë rast të dakordohomi me kryetarin e Gjykatës së Gjilanit dhe lëndën ta merrë kjo gjykatë” tha kryetari Hoxha.

Kryetari Hoxha, po ashtu njoftoi se në rast të mos arritjes së pajtimit mes tij si kryetar dhe kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, lëndën do ta dërgojë në Gjykatën e Apelit.

Neni 18 paragrafi 1.3. i Ligjit për Gjykatat thotë se Gjykata e Apelit ka kompetencë të vendos për konfliktin e jurisdikcionit ndërmjet Gjykatave Themelore.

Hetimet ndaj Hamitagës dhe Delilit kanë filluar menjëherë pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në të cilin Hamitaga kishte akuzohej se ka kërkuar favore nga një i dyshuar ndaj të cilit ai po bënte hetimet.

http://kallxo.com/negociatat-e-korrupsionit-ne-prizren-video/