Mjeku - Foto: REL/Shutterstock

Konferencë për të drejtat e pacientit

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë sot nga ora 09:00 mban konferencën ndërkombëtare shkencore “Profesionisti shëndetësor, pacienti dhe të drejtat e tyre”, ka për qëllim sensibilizimin e komunitetit mjekësor për të drejtat dhe obligimet e palëve në një marrëdhënie profesionist shëndetësor-pacient në mënyrë që të ketë sa më pak shkelje të të drejtave të tyre.

Sipas njoftimit, audiencë në këtë konferencë të parë të këtij lloji, do të jenë profesionistët shëndetësorë dhe përfaqësues të tyre, Shoqata të pacientëve nga Kosova dhe shtetet rajonale.

“Ligjërues në këtë konferencë do të jenë ekspert ndërkombëtarë dhe vendorë për të drejtat e pacientëve dhe etikë profesionale. Ata vijnë nga Aleanca Botërore e Organizatave të Pacientëve, Shoqata Botërore e Ligjeve Mjekësore, Shoqata e Mjekëve Amerikan, Forumi Evropian i Pacientëve, përfaqësues të Stafit Mjekësor, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë në Turqi, përfaqësues nga Odat e Profesionistëve Shëndetësor, Avokati i Popullit, si dhe emra të tjerë eminent ndërkombëtarë dhe vendorë, të cilët do të shpalosin praktikat më të mira nga vendet e tyre”, thuhet në njoftimin e shoqatës.