Konferencë për të Afruar Kulturën dhe Arsimin

Në konferencë do të diskutohet ndërlidhshmëria e kulturës dhe edukimit (legjislacioni, politikat kulturore), ndërlidhja e institucioneve të kulturës me shkollën dhe lidhshmëria në mes të arsimit dhe edukimit kulturor.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala, tha se edukimi dhe kultura janë dy procese të rëndësishme dhe të pandashme

“Në funksion  të kësaj në po hartojmë një strategji të re për kulturën me të cilën dëshirojmë që të ndihmojmë dukshëm në pjesëmarrjen e kulturës në sistemin arsimor, gjithmonë në bashkëpunim me ministrin e arsimit dhe shkencës,” tha Shala.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se investimi më i mirë që mund t’u ofrojmë  të rinjve është një arsim cilësor.

“Investimi në arsim cilësor në një shoqëri që bazohet në  vlerat e kulturës, në vlerat e diversitetit qytetar dhe etnik dhe jemi tërësisht të angazhuar si qeveri që ne të punojmë së bashku për të ndërtuar standarde të mira kombëtare që t’u mundësojmë të rinjve një arsim të merituar i cili krijon një shoqëri të kulturuar dhe me vlera qytetëruese evropiane,” tha Bajrami.

Për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozin themeli i zhvillimit të një vendi janë arsimi dhe kultura.

“Ne e mendojmë kulturën si diçka jashtë shkollës, e mendojmë më tepër në anën artistike dhe e harrojmë atë kulturën e madhe, atë kulturën e të mësuarit. Sepse pa e zhvilluar kulturën e të mësuarit është tepër e vështirë për të arritur aty ky duam të jemi,” tha Minxhozi.

Kryetari i Komisionit për Arsim dhe Kulturë Nait Hasani, kërkoi  nga të gjithë që të jenë aktivë në ndërtimin e ligjeve.

“Duke ndërtuar një sistem ligjor, ndërtojmë edhe një kulturë të punës, ndërtojmë edhe një të ardhme më të mirë për ne,” tha Hasani.

Kjo konferencë është e ndarë në tre sesione, dy prej të cilëve do të mbahen sot, ndërsa i treti nesër.