Konferencë për Adresimin e ‘Xhunglës’ Online në Kosovë

Përfaqësues të mediave dhe të institucioneve në Kosovë janë mbledhur sot për të diskutuar për “Llogaridhënien e mediave online në Kosovë” në një konferencë të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Sipas tyre problemi i mediave online, që viteve të fundit kanë ‘lulëzuar’ në Kosovë, por edhe atyre të shkruara mbetet transparenca e institucioneve, zbatimi i standardeve profesionale, respektimi i kornizave ligjore dhe vetërregullimi i mediave.

Shefi i Seksionit të Mediave në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Dane Koruga, tha se është në dijeni për problemet që hasin gazetarët për të siguruar informacionet.

“Duhet ta kuptoni që OSBE-ja nuk ka një zgjidhje magjike, jemi lojtarë margjinarë me fonde të limituara që përballet me burokraci të madhe dhe personalitete dhe mundohemi të bëjmë më të mirën”, tha ai.

Udhëheqësja e zyrës për informimin e mediave në EULEX, Dragana Solomon, tha se nuk është në rregull që identitetit i disa prej dëshmitarëve të mbrojtur dhe i të akuzuarve të zbulohet nga mediat.

“Është një ligj në Kosovë e cila e mbron të drejtën e mbrojtjes, të drejtën e pafajësisë deri në vendimin e gjykatës mirëpo më e keqja është se shkruajnë çdo gjë që vjen në mendjen e tyre duke e dëmtuar autoritetin e gjykatës”, tha ajo.

Sipas saj, është shumë keq kur e sheh një program televiziv të bazuar vetëm në një burim “më falni mirëpo ku është pjesa tjetër”

“Nëse gjyqtarët nuk duan të flasin atëherë mos e prezantoni atë lajm sepse nuk e keni palën tjetër dhe nuk po i jepni publikut dy opinione”, tha ajo.

Futura Kusari, njohëse e rregullimit ligjor të mediave, tha se problem është mos transparenca ndaj mediave nga ana e zyrtarëve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare si dhe mos marrja e rasteve të gazetarëve nga gjykatësit.

“Nëse ju si OSBE dëshironi me kontribu në Kosovë atëherë punoni me sistemin gjyqësor të Kosovës që me i marr rastet e gazetarëve sepse është krijuar përshtypja se krejt gazetarët rrejnë, shpifin dhe se portalet janë katastrofë çka nuk është e vërtetë”, tha ajo.

Sipas saj, gazetarët në Kosovë janë duke bërë një punë shumë të mirë krahasuar me rrethanat në të cilat ata punojnë.

Redaktori përgjegjës i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, tha se mediat nuk mund t’i shkelin vendimet e gjykatës duke u thirrur në të drejtën e tyre për ta informuar publikun.

“Si gazetarë duhet të kemi parasysh që kur gjykatësi na ka urdhëruar ai është ligji dhe kur ligji është i shkruar ai duhet me u zbatu për ndryshe e kemi thyer ligjin, pra kur gjykatësi na thotë që një informacion nuk duhet me u publiku ne duhet ta zbatojmë ligjin”, tha ai.

Ai tha se problem mbesin njerëzit të cilët komunikojnë me media të cilët nuk kanë njohuri elementare se çfarë duhet të publikohet dhe çfarë jo si dhe numri i madh i padive të pazgjedhura.

“Paditë për shpifje flejë në gjykata tona e kjo na ka kriju mundësin që kurrkush mos me u ndëshku për gabimet që i ka bërë gjatë publikimit”, tha ai.

Profesoresha nga departamenti i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Remzie Hoxhaj tha se do të ishte mirë sikur mediat online të kishin një organ që do t’i kontrollonte.

“Mendoj se do të ishte më mirë se mediat në një farë formë të obligohen ligjërisht që me pas një trup vetërregullativ apo të krijohet një trup vetërregullativ i cili do të merrej vetëm me mediat online”, tha ajo.

Ajo shprehu shqetësim edhe sa i përket të drejtës së autorit dhe publikimit të lajmeve duke mos pasur burime te sakta.

Kryesuesi i Bordit të Këshillit të mediave të Shkuara të Kosovës Imer Mushkolaj, tha se ata e kanë diskutuar një ide të tillë edhe më parë.

“Ne kemi pasur ide që të krijojmë një nën-këshill nëse mund ta quajmë kështu që do të mund të funksiononte për mediat online por prapë si këshill jemi akorduar që të funksionojmë si një trup i vetëm ku anëtarët e këshillit të mediave merren me gazeta, agjenci të lajmeve dhe me mediat online”, tha ai.

Sipas tij, nuk është e vërtetë se mediat online janë shkelësit më të mëdhenj bazuar në ankesat që vijnë në këshill.