Komunat Tregojnë Aktivitetet për 10 Vjet Shtet

Disa komuna kanë bërë publike aktivitetet e tyre për dhjetë vjetët e shtetësisë.

Komuna e Vushtrrisë aktivitetet për 10 vjet shtet i ka nisur më 7 shkurt, ndërsa ato do të vazhdojnë deri më 17 shkurt.

Kjo komunë ka organizuar programe kulturo-artistike, gara për fëmijë, ekspozita, kuize të diturisë, turne pingpongu e volejbolli dhe orë letrare.

Këto aktivitete kanë filluar të zhvillohen nga nxënësit e shkollave fillore, shkollave të mesme, por edhe nga Shoqata e të Shurdhëve në Vushtrri.

Për ditën e Pavarësisë, Komuna e Vushtrrisë ka paraparë të bëjë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Bletajë dhe te përmendorja e Zahir Pajazitit, duke vazhduar me akademi solemne në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri.

Edhe Komuna e Lipjanit ka bërë publikimin e aktiviteteve për ditën e pavarësisë, ndërsa ato do të fillojnë nesër.

Pjesë e këtyre aktiviteteve do të jenë turneu i futbollit, konferenca me të rinjtë e komunës dhe shfaqjet teatrale.

Ndërsa Komuna e Lipjanit për 17 shkurt do të mbajë seancë solemne në Kuvendin Komunal, homazhe te shtatorja e Adem Jasharit, homazhe te kompleksi memorial në Kleçkë duke vazhduar me program festiv në Qendrën e Kulturës “Tahir Sinani” në Lipjan.

Edhe Komuna e Kamenicës ka organizuar aktivitete për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë me gara për fëmijë, turne futbolli dhe volejbolli si dhe koncerte në sheshin e qytetit.

Për ditën e pavarësisë Komuna e Kamenicës ka njoftuar se do të bëjë homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe do të vazhdojë me një koncert festiv.

Ndërsa Komuna e Obiliqit festën për pavarësinë e Kosovës e ka filluar me shtatë shkurt me një takim me nxënësit e shkollave të mesme në Kuvendin Komunal të Obiliqit.

“Në sallën e Kuvendit Komunal filloi festa jubilare e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku u mirëpritën në këtë aktivitet nxënësit e shkollave të mesme në komunën tonë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Obiliqit.

Por Komuna e Obiliqit nuk ka bërë ndonjë publikim për ndonjë aktivitet tjetër që do të mbahet për ditën e pavarësisë.