Komunat Informohen për MSA-në

Tryeza informuese për zyrtarët komunalë u organizua nga Ministria për Integrim Evropian (MIE) dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) me mbështetje të GIZ-it.

Në të u fol për MSA-në BE-Kosovë dhe zbatimin e saj.

Ramadan Ilazi, zëvendësministri i Integrimit përmendi një dokument të kësaj ministrie të miratuar në marsin e këtij viti si bazë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së është dokumenti kryesor strategjik për zbatimin e agjendës evropiane të Kosovës. Ky program përcakton një kuadër të plotë të reformave drejt anëtarësimit në BE dhe në saje të kësaj ky do të mbetet dokumenti kryesor strategjik deri në fillimin e negociatave për anëtarësim,” tha Ilazi.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Bajram Gecaj tregoi se kësaj ministrie i takon informimi i komunave për MSA-në.

“MAPL-ja është e përkushtuar dhe do të luajë një rol koordinues dhe bashkërendues si mbështetëse e komunave në informimin e tyre rreth MSA-së. Ne gjatë vitit 2015 i kemi vizituar të gjitha komunat e Kosovës për ta pasur më të qartë agjendën tonë dhe të hartojmë planin e integrimit që kërkohet nga MSA-ja”, tha Gecaj.

Thomas Gnocchi, përfaqësues nga Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë, tha se MSA-ja është një mundësi e mirë në stimulimin e ekonomisë në nivel lokal.

“BE-ja do të vazhdojë të jetë partner i MIE-së për MSA-në. Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për stimulimin dhe zhvillimin e ekonomisë në nivel lokal. Përveç se është një marrëveshje politike, kjo gjithashtu më shumë është një marrëveshje ekonomike dhe tregtare, prandaj kjo vegël duhet të përdoret sa më shumë të mundet,“ tha Gnocchi.

Për rëndësinë ekonomike të MSA-së KALLXO.com shkroi edhe më 21 prill

http://kallxo.com/zhbogar-msa-konfirmim-i-be-se-per-kosoven

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, tha se zbatimi i MSA-së është i menaxhueshëm dhe se në periudhën afatshkurtër MSA-ja sjell detyrime, por në afat të gjatë do të sjellë përfitime.

Ajo porositi se “zbatimi i MSA-së të mos bëhet vetëm si detyrim ndaj BE-së, por me anë të kësaj marrëveshjeje të zhvillohet vendi juaj”.

MSA-ja në Kosovë ka hyrë në fuqi me 1 prill dhe se është dokumenti më i rëndësishëm që ka nënshkruar Kosova pas pavarësisë së saj.

http://kallxo.com/kosova-perball-msa-pasqyres