Komuna Rrënon Objektin-Pretendentët e Pronës Kundërshtojnë

Komuna e Suharekës rrënoi një objekt, por disa persona penguan rrënimin duke e konsideruar të veten pronën ku ndodhej ai.

Inspektoret e Komunës e Suharekës dolën të premten për të rrënuar një objekt në qendër të qytetit me urdhër të Drejtorisë së Urbanizimit, pasi që kjo e fundit kishte konstatuar se objekti është i pashfrytëzueshëm dhe i rrezikshëm për qytetarët.

Por me daljen në vendngjarje, inspektoret hasën në pengesa nga personat që pretendojnë se janë pronarë të parcelës ku ndodhej objekti. kësaj parcele.

Zymer Elshani, njëri nga pretenduesit e kësaj toke, tha se komuna po ngutet.

“Sipas mendimit tim, ky ka qenë vendim i ngutshëm, ka mundur kuvendi komunal të na ftojë neve që të mos bëhet ndonjë eksces më i madh dhe të bisedojmë në mënyrë të qetë për këtë rrënim. Nuk na ka njoftuar fare, kështu që ne kemi dalë që t’u tregojmë qytetarëve të Komunës së Suharekës që kjo pronë është e jona,” tha Elshani.

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Suharekës Kushtrim Kicaj me anë të telefonit tregoi arsyet e rrënimit të këtij objekti.

“Ne si drejtori  kemi formuar një komision që ka konstatuar se objekti është i rrezikshëm për qytetarët e Suharekës, pasi është në gjendjet të keqe dhe kemi gjetur kafshë të ngordhura dhe gjëra tjera të rrezikshme për qytetarët e Suharekës,” tha drejtori Kicaj.

Duke u ndërlidhur me kundërshtimin e rrënimit nga pretendentët për tokën, drejtori Kicaj tha se komuna vetëm ka rrënuar objektin, ndërsa nuk pretendon të investojë diçka në këtë pronë.

Pas sqarimit të inspektorëve në prani të policisë, pretenduesit për pronën nuk e penguan rrënimin.