Komuna që Refuzon Investitorin Shqiptar

Ishte viti 2013 kur Naim Demolli i kishte hyrë garës për të blerë mbi 33 hektarë tokë bujqësore në Komunën e Ranillugut nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në valën e 59-të të privatizimit, transmetoi “Drejtësi në Kosovë” të premten.

Hulumtimi i ekipit të emisionit tregoi se pas përfundimit të procedurave të tenderimit nga AKP-ja, në janar të vitit 2014 Demolli ishte njoftuar se është shpallur fitues, pasi që ofertuesi me ofertën më të lartë ishte tërhequr nga gara. Demolli u ftua në AKP-ja që ta nënshkruajë kontratën për bartjen e pasurisë së privatizuar, për të cilën ai kishte paguar 155 mijë euro.

Më këtë kontratë Demolli ia kishte mësyrë Komunës së Ranillugut, saktësisht Drejtorisë për Urbanizëm dhe Kadastër për ta bërë bartjen e tokës në emrin e tij. Por kjo komunë ia refuzoi kërkesën për bartjen e pronës, edhe pse Demolli kishte në dorë kontratën valide me Agjencinë e Privatizimit në bazë të të cilës kishte blerë tokë nga ish- ndërmarrja shoqërore-Kombinati Bujqësor “Zhivko Vasiq”.

“Në muajin mars 2014 e kam dorëzuar dokumentacionin e kompletuar në Drejtorinë e Kadastrit edhe nuk ma kanë bërë bartjen. Ma kanë kthyer negativ. Jam taku me kryetarin e komunës edhe më ka thënë se bartjen nuk do të ma bëjnë sepse sipas tij atë tokë e kanë me interes për komunën,” deklaroi Demolli.

Të gjeturat e emisionit “Drejtësia në Kosovë” treguan se sipas ligjeve në fuqi komunat, gjegjësisht drejtoritë për kadastër obligohen që pas kërkesës së palës duke u bazuar në kontratën që pala e ka me Agjencionë Kosovare të Privatizimit, t`ua bartin atyre parcelat e privatizuara nga ish-ndërmarrjet shoqërore në pronësi të tyre,

Por kontrata që Naim Demolli e ka me Agjencinë e Privatizimit, nuk po vlen në Komunën e Ranillugut.

Gradimir Mikiq, kryetar i kësaj komune deklaroi për “Drejtësia në Kosovë”, se ai nuk do të lejojë që prona të bartet tek privatizuesi, me arsyetimin se për këtë e obligon vendimi i nxjerrë nga Kuvendi Komunal, vendim ky i cili 33 hektarët e ndërmarrjes shoqërore “Zhivko Vasiq” i shpall zonë me interes të veçantë për komunën.

“Ajo tokë është shpallur sipërfaqe me interes të përgjithshëm e Komunës Ranillug. Qeveria është e njoftuar për këtë. Mund ta shihni përmes numrit të referencës që qeveria e ka pranuar atë. Për këtë është njoftuar Agjencia e Privatizimit. Edhe këtë do t’jua dokumentojmë, kur i kemi dërguar dokumentet dhe sa herë,” tha Mikiq për emisionin.

Naim Demolli sipas asaj që transmetoi “Drejtësia në Kosovë” të drejtën e tij e ka kërkuar në shkallën e dytë, apo në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, e cila në bazë të ligjit ka kompetenca të ndërhyjë te komunat që prona t’i bartet pronarit legjitim.

“Jemi ankuar edhe në Agjencinë Kadastrale. Kjo agjenci dy herë e ka kthyer lëndën në komunë, por sërish komuna e ka kthyer negativ, s`po ma bartin pronën. Unë i kam kërkuar Agjencisë Kadastrale, Ismet Kryeziut që të ma bartin pronën, por deri me tash nuk është kryer kjo punë, unë më s`po di se çka të bëj,” deklaroi Demolli.

Ismet Kryeziu nga Agjencia Kadastrale e Kosovës thotë se tani kanë vendosur që ta pezullojnë procedurën, me arsyetimin se Komuna e Ranillugut ka hapur kontest administrativ më AKP-në në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

“Kontratën e palës me AKP-në e kemi ligj, kusht që duhet ta zbatojmë. Mirëpo, nuk është zbatuar prej komune atje, e ka refuzuar dhe ne për atë e kemi anuluar procedurën. Sikurse të mos kishte qenë kontesti i hapur në gjykatë, ne do ta kishim bërë bartjen, mirëpo derisa të vendosë gjykata dhe të bëhet e plotfuqishme lënda ne nuk mund të veprojmë,” deklaroi Kryeziu.

Siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, kërkesën e Komunës së Ranillugut për vendosjen e masës së përkohshme për këtë pronë, e ka refuzuar Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Mirëpo, edhe pse prona është e lirë për qarkullim juridik, Komuna e Ranillugut dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës nuk po e bëjnë bartjen e pronës.

Kjo, sipas zëdhënësit të AKP-së Ylli Kaloshi, paraqet shkelje të ligjeve në fuqi.

“Kjo komunë nuk po e zbaton ligjin, përkatësisht po e shkel ligjin e Republikës së Kosovës dhe nuk po e bën regjistrin dhe bartjen e pronës së privatizuar nga ana e AKP-së tek privatizuesi. Mirëpo në këtë rast kërkesa e komunës nuk i ka plotësuar kushtet e parapara ligjore për trajtim të mëtutjeshëm,”deklaroi Kalosh.

Agron Maxhuni nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ministri kjo që mbikëqyr punën e komunave tha se Komuna e Ranillugut ka për obligim ta bëjë bartjen e pronës tek privatizuesi i saj. Në të kundërtën sipas tij kjo komunë po bën shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Kërkesa për kthimin e  asaj prone nga Komuna e Ranillugut nuk është parashtruar konform ligjit dhe rregullores së qeverisë e miratuar në vitin 2013, ku shprehimisht është përcaktuar procedura se si parashtrohet kjo kërkesë. Qeveria e Republikës së Kosovës përmes kësaj rregulloreje, organ kompetent për trajtimin e këtyre kërkesave e ka përcaktuar ministrinë tonë,” deklaroi Maxhuni.

Refuzimi i Komunës së Ranillugut për t`ia bartur pronën privatizuesit legjitim i dekurajon investitorët vendorë dhe ata të huaj.

“Kjo ngjall frikë dhe pasiguri tek blerësit e ardhshëm, sepse AKP-ja do të vazhdojë me procesin e privatizimit,” tha Ylli Kaloshi nga AKP-ja.