Komuna e Vushtrrisë me performancën më të mirë në prokurimin publik

Sipas raportit të organizatës Democracy Plus (D+), “Matësi i performancës në prokurim publik”, komuna e Vushtrrisë ka rezultuar me performancën më të mirë në prokurimin publik.

Raporti i D+ përfshinte gjithsej 5 komuna si ajo e Prishtinës, Gjilanit, Pejës, Gjakovës dhe Vushtrrisë, kurse kishte 6 indikatorë për të matur performancën: Zbatimi i ligjit, praktikat e mira, implementimi i rekomandimeve të institucioneve mbikëqyrëse, transparenca, konkurrenca dhe përfshirja qytetare.

Në indikatorin për zbatimin e ligjit, komuna e Pejës ishte me performancën më të mirë, ku u vlerësua me 17 pikë, ndërsa komuna e Gjakovës është vlerësuar me performancën më të dobët, ku është vlerësuar me 3 pikë.

Sipas raportit të D+, komuna e Vushtrrisë është vlerësuar si më e mira me 22 pikë edhe në indikatorin praktikat e mira, ndërsa ajo e Pejës  më e dobëta me 10 pikë.

Tek indikatori implementimi i rekomandimeve të institucioneve mbikëqyrëse, komuna e Gjakovës kësaj radhe është vlerësuar më e mira me 12 pikë, ndërsa komunat e Pejës dhe Prishtinës më të dobëtat me nga 8 pikë të vlerësuara nga D+.

Tek transparenca, performanca më e mirë është vlerësuar komuna e Prishtinës me 15 pikë, kurse më të dobëtat komunat e Gjilanit dhe Pejës, me nga 11 pikë.

Edhe tek konkurrenca Prishtina është vlerësuar me performancë më të mirë me 13 pikë, ndërsa më e dobëta ishte komuna e Vushtrrisë, kurse tri komunat e tjera janë vlerësuar me nga 12 pikë.

Tek indikatori performanca qytetare, komunat e Gjakovës dhe Vushtrrisë janë vlerësuar më të mirat me nga 9 pikë, e ajo e Gjilanit më e dobëta me 7 pikë.

79 nga 143 pikë të mundshme, komuna e Vushtrrisë është vlerësuar si më e suksesshmja në prokurimin publik nga ky raport, autorë të cilët janë Rrita Ismajli dhe Isuf Zejna, të përkrahur nga USAID-i.

Ky është raporti i dytë i tillë i organizatës D+ pas atij në maj të vitit 2018, ndërsa aty organizata vlerëson se me publikimin e kontratave nga komuna e Gjakovës e pasuar nga 17 komuna të tjera të vendit, Kosova në vitin 2017 ka bërë një hap drejt rritjes së një transparence të plotë dhe një konkurrence të drejtë në nivel komunal.