Komuna e Vushtrrisë fiton 150 mijë euro për pastrimin e qytetit

Komuna e Vushtrrisë ka fituar sot grant në shumë prej 150 mijë euro në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se Komuna e Vushtrrisë është fituese e grantit të performancës si komuna me top performancën në fushatën “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Edhe qytet më i pastër edhe grant për ambient. Ky grant është meritë e ekipit koordinues të Komunës, kompanisë Uniteti njësia në Vushtrri, nxënësve e vullnetarëve të “Let’s do it Kosova” dhe kompanive lokale për angazhimin e tyre. Vushtrria e pastër, e mirë për të gjithë”, ka shkruar Tahiri në postimin e tij në facebook.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor së bashku me “Let’s Do It Kosova” kanë mbajtur sot konferencën përmbyllëse të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila filloi me 15 shtator, ndërsa përfundoi më 15 dhjetor 2018.