Komuna e Suharekës toleron bizneset që shkelën kontratat

Buxhetimi dhe shpenzimi i gabuar në investime kapitale, parregullsi në prokurim dhe rritje e borxhit komunal, janë disa nga shkeljet që ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), për vitin 2018 në Komunën e Suharekës.

Për vitin 2017 nga 14 rekomandime sa kishte dhënë ZKA, Komuna e udhëhequr nga Bali Muharremaj i ka zbatuar gjashtë rekomandime, katër rekomandime ishin zbatuar pjesërisht, një rekomandim i mbyllur dhe tri rekomandime nuk ishin trajtuar ende.

Ndërsa, për në raportin e ZKA-së për vitin 2018 janë dhënë 12 rekomandime.

Sipas auditorit komuna në kontekst të sistemeve financiare, kontrollet mbi një sërë fushash të shpenzimeve kërkojnë përmirësim të mëtutjeshëm. Fushat kryesore ku nevojiten më shumë përmirësime janë: proceset e prokurimit, klasifikimi adekuat i shpenzimeve, menaxhimin e pasurive dhe llogarive të arkëtueshmeve. Përveç kësaj nevojitet një përqendrim më i shtuar i komunës në parandalimin e ekzekutimit të pagesave direkte nga thesari.

Rritje e borxhit komunal

Auditori për vitin 2018 ka gjetur se Komuna e Suharekës ka rritur borxhin komunal, borxhe këto që janë bartur në vitin 2019.

Pasqyra e borxheve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2018 ishte 80 mijë e 325 euro. Krahasuar me vitin e kaluar (63 mijë e 355 euro), obligimet kanë shënuar rritje prej 16 mijë e 970 euro.

ZKA ka shtuar se këto borxhe janë rritur për 16 mijë e 970 euro dhe kjo ka ndodhur si rrjedhojë e menaxhimit jo të mirë, kishte raste kur pagesat për faturat e papaguara ishin ekzekutuar direkt sipas vendimeve të Gjykatës Themelore në vlerë 70 mijë e 698 euro duke shkaktuar kosto shtesë.

Në 14 raste faturat/obligimet nuk ishin paguar sipas afatit ligjor prej 30 ditëve.

Ndërsa borxhet, në fund të vitit 2018 ishin 388 mijë 533 euro, krahasuar me vitin e kaluar (157 mijë euro). Borxhet kanë shënuar rritje prej 231 mijë e 533 euro. Kjo rritje ishte për shkak se gjatë vitit 2018 kishte 10 lëndë të reja, dhe vlera e disa borxheve të vjetra ishte rritur.

Këto veprime rrisin rrezikun që planet e shpenzimeve aktuale të mos realizohen për shkak që komuna duhet t’i shlyejë obligimet e vitit paraprak.

Auditori ka rekomanduar që këto pagesa të borxheve të kryhen sipas afateve të parapara ligjore prej 30 ditësh.

“Kryetari, duhet të konsiderojë që me rastin e planifikimit të buxhetit t’i trajtojë obligimet dhe detyrimet kontingjente të mbetura me Ministrinë e Financave dhe të vendosë prioritetet buxhetore në kryerjen e tyre. Po ashtu, të gjitha faturat e konfirmuara apo vendimeve tjera për shpenzime, t’i kryejë me kohë sipas afatit të paraparë ligjor prej 30 ditëve”, thuhet në raport.

Komuna e Suharekës për vitin 2018 ka shpalosur llogari te arkëtueshme në vlerë 4 milionë e 331 mijë e 583 euro, në të cilat pjesëmarrje me të madhe kanë të hyrat nga tatimi në pronë me 60 për qind, taksat e bizneseve në veprimtari 26 për qind si dhe pjesa e mbetur nga të hyrat e dhënies së pasurisë të patundshme komunale me qira.

Këto llogari ishin rritur për 284 mijë e 583 euro në krahasim me vitin paraprak

Nga tatimi në pronë i faturuar për 2018 (duke përjashtuar arkëtueshmet e viteve paraprake, kamatën dhe ndëshkimet) në vlerë prej 880 mijë e 567 euro ishte mbledhur 673 mijë e 627 euro apo 76 për qind.

Vonesat në investime kapitale

Komuna e Suharekës ka vonuar realizimin e tri projekteve kapitale nga tetë sa kishte testuar auditori.

Auditori ka gjetur se Komuna ka vonuar realizimin e këtyre tri projekteve për shkak të mos analizimit të mirë të tyre.

Komuna ka vonuar për tetë muaj realizimin e kontratës “Instalimi dhe sanimi i ndriçimeve publike në Shirokë, Sopijë, Mushtisht, Bllacë, Studenqan dhe Samadraxhë”.

Sipas raportit të Auditorit kjo kontratë në vlerë 29 mijë e 277 euro, e nënshkruar në shtator të vitit 2017, neni 1 i kontratës, citon se punët do të përfundojnë brenda 30 ditësh, ndërsa kishin përfunduar në qershor të vitit 2018.

Auditori ka gjetur se ka pasur vonesë prej dy muajsh në kontratën për “Ndërtimin e rrugës Moholan – Stravuqin”-, e cila për faqen e parë ka pasur vlerën 7 mijë e 135 euro.

Kjo kontratë ishte nënshkruar në gusht të vitit 2018, neni 1 i kontratës, citon se punët do të përfundojnë brenda 60 ditë, ndërsa kishin përfunduar në dhjetor të vitit 2018.

Në raportin e Auditorit më tej thuhet se këto dy projekte ishin vonuar për shkak të mos pëlqimit të banorëve e që kishte shkaktuar probleme pronësore ndërmjet tyre.

“Sipas diskutimeve me organin mbikëqyrës këto kontrata nuk ishin realizuar me kohë për shkak se, para hartimit të projektit (paramasës) kryetarët e fshatrave nuk kishin marrë pëlqimin paraprak të banorëve, duke shkaktuar pastaj probleme pronësore nga ana e tyre”, thuhet në raport.

Ndërsa, kontrata e tretë, të cilën Komuna e Suharekës e kishte vonuar realizimin e saj është ajo për “Ndërtimin dhe renovimin e objekteve sportive dhe kulturore”.

Kjo kontratë kishte pasur vlerën 47 mijë e 247 euro, ishte nënshkruar në maj të vitit 2018, ndërsa sipas nenit 1 të kontratës, ishte paraparë që plani dinamik i punëve të përfundonte brenda 60 ditë.

Për realizimin e kësaj kontrate Komuna kishte nënshkruar edhe një aneks kontratë në muajin në muajin korrik 2018, në nenin 2 të këtij aneksi citohet se punët duhet të përfundojnë brenda 15 ditëve.

Punët për këtë projekt kanë përfunduar në tetor, që do të thotë se kishte vonesa në realizim prej dy muajsh.

Në raport të auditorit thuhet se kjo kontratë ka vonuar në realizim për shkak të punëve shtesë, të cilat kanë dalë më pas “ndryshimeve të pozicioneve dhe për shkak të kushteve atmosferike”.

Sipas Auditorit mos realizimi në kohë i këtyre tri kontratave paraqet rrezikun e zgjatjes më tej të projekteve.

“Mund të rezultojë me dështim të projektit dhe mos arritjen e objektivave komunale, duke ndikuar në proceset buxhetore të projekteve tjera”, thuhet në raport.

Tutje Auditori i kishte rekomanduar kryetarit të komunës, Bali Muharremajt që të forcojë kontrollet e mbikëqyrjes së zbatimit të planeve dinamike dhe sipas kushteve të kontratës

“Kryetari duhet të ndërmerr masat për forcimin e kontrolleve lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të projekteve sipas planit dinamik dhe kushteve të kontratës, si dhe zgjidhjen e çështjeve pronësore dhe administrative (marrjen e lejeve përkatëse) para fillimit të punimeve, në mënyrë që mos të ketë ndërprerje të punimeve dhe projektet të realizohen sipas planit dinamik”, ka rekomanduar Auditori.

Komuna e Suharekës për vitin 2018 ka pasur buxhet final për investime kapitale 5 milionë e 815 mijë e 441 euro, ku prej kësaj shume janë shpenzuar 90 për qind apo 5 milionë e 234 mijë e 869 euro, që kanë të bëjnë me investime në ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe objekteve të ndryshme kapitale.

Për investimet kapitale përveç vonesave ka pasur edhe një sërë parregullsish të tjera, të cilat janë gjetur nga auditori.

Auditori ka gjetur se komuna e Suharekës në kontratën “Sinjalizimi horizontal dhe vertikal”, e cila ka pasur vlerë 15 mijë e 509 euro e nënshkruar për një periudhë një vjeçare, siguria e ekzekutimit e ofruar nga operatori ekonomik ishte vetëm gjashtë muaj, duke mos mbuluar kështu kohëzgjatjen e plotë të kontratës.

Nga kjo është parë rreziku i përballjes së komunës me shpenzime shtesë në rast të dëmtimit të punimeve në mungesë të garancionit.

ZKA ka rekomanduar që kryetari duhet të vendos kontrolle adekuate dhe monitorim të përshtatshëm për tu siguruar se zbatohen të gjitha kërkesat ligjore gjatë prokurimit dhe komuna aplikon garanci për tu siguruar se ekzekutimi punëve, mallrave apo shërbimeve bëhet në përputhje me marrëveshjet.

Komuna e Suharekës në lidhje me të gjeturat e raportit ka thënë se pajtohet dhe se nuk ka ndonjë koment shtesë rreth tij.