Komuna e Suharekës Kundër Kthimit të Serbëve në Mushtisht

Asambleja Komunale e Suharekës ka dalë sot me një deklaratë zyrtare në lidhje me kthimin e serbëve në fshatin Mushtisht.

Sipas deklaratës, të cilën e lexoi asamblisti nga radhët e PDK-së, Alush Shala, ende nuk janë pjekur kushtet për kthimin e të zhvendosurve serbë në këtë fshat.

“Sa i përket kthimit të të zhvendosurve serbë në fshatin Mushtisht kemi ardhur në përfundime se akoma nuk janë pjekur kushtet. Këtë përfundim e arsyetojmë me faktin se shumë shqiptarë, banor të komunës sonë, përfshirë edhe ata të fshatit Mushtisht, janë vrarë e masakruar, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre akoma rezultojnë të zhdukur, si rezultat i dhunës, vrasjes dhe terrorit shtetëror serb gjatë luftës së fundit”.

Para se të ndodhë kthimi i serbëve, Shala tha se kanë rekomanduar të ketë një kërkim-falje nga shteti serb dhe nga banorët lokalë për krimet e kryera në Mushtisht por edhe në tërë territorin e komunës së Suharekës.

“Duke qenë se plagët e banorëve tonë janë të hapura, rekomandojmë që fillimisht të kthehen të pagjeturit familjeve të tyre, të bëhet një kërkim-falje nga ana e shtetit të Serbisë dhe nga ana e banorëve lokalë për vrasjet, terrorin, shkatërrimet, ndërsa kriminelët, pjesëmarrës të drejtpërdrejt të këtyre krimeve, të dalin para drejtësisë”, shtoi Shala.

Kjo deklaratë është votuar unanimisht nga asamblistët e Komunës së Suharekës.

Më 28 gusht të këtij viti, banorët e Mushtishtit me anë të një proteste kanë penguar vizitën e ish-bashkëfshatarëve serbë.

http://kallxo.com/vizita-e-ish-banoreve-tensione-ne-mushtisht/

Gjatë kësaj proteste, ka pasur të lënduar në mesin e protestuesve dhe policëve.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte dënuar skenat e dhunshme të asaj dite dhe kishte theksuar se të gjithë kanë të drejtë të kthehen në pronën e tyre.

http://kallxo.com/thaci-te-papranueshme-skenat-ne-mushtisht/

Por Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka kundërshtuar deklaratën e miratuar sot në Asamblenë e Suharekës duke vlerësuar procesin e kthimit të të zhvendosurve të shkëputur nga hetimet gjyqësore.

“Kthimi është një e drejtë e garantuar me ligj dhe kushtet për kthim duhet të krijohen pavarësisht nga hetimi dhe përndjekja e krimeve të luftës”, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Misionit të OSBE-së, Senad Shaboviq.