Naim Ismaili, PDK, Shtime. Foto: Kallxo.com

Komuna e Shtimes Ende me Drejtorë të Mandatit të Kaluar

Kanë kaluar thuajse dy muaj nga balotazhi në Shtime, por Kryetari i rizgjedhur i kësaj komune, Naim Ismajli, ende është duke punuar me drejtorë të mandatit të kaluar.

Ai ende nuk ka emëruar drejtorët e rinj.

Gjatë muajit të kaluar KALLXO.com, ka kontaktuar me nënkryetarin e komunës, Rrahman Jakupi i cili kishte thënë se drejtorë e rinj do të emërohen në fund të muajit janar.

“Drejtorët aktualë kanë mandat deri më 31 janar të këtij viti (2018). Kryetari Ismajli është duke bërë vlerësimin dhe analizë të drejtorive aktuale, për vendimin e ri tjetër do të njoftoheni me kohë”, pati thënë Jakupi për KALLXO.com.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com është interesuar në lidhje me emërimin e drejtorëve të rinj i cili ende nuk është zgjedhur.

Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Rrahman Jakupi i tha KALLXO.com se vlerësimi i drejtorive është në përfundim.

“Është në përfundim vlerësimi i punës i të gjitha drejtorive, ndërsa emërimi i drejtorëve pritet të bëhet ne fund të javës që vjen”, tha ai.

I pyetur nëse do të shtohej numri i drejtorive më shumë se 7 sa janë, Jakupi pati thënë se ‘në bazë të nevojave për drejtori të tjera, ato do të shtohen por me vendim të Kuvendit Komunal’.