Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Komuna e Shpend Ahmetit kërkon ndihmën e Policisë për karrigen e NPB-së

Drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj ka dorëzuar sot në Policinë e Kosovës kërkesën që të mundësoj që ushtruesi i detyrës Hajdar Hoxha, i emëruar nga Komuna e Prishtinës të mund të hyjë në objektin e Ndërmarrjes Publike Banesore, merr vesh KALLXO.com nga burime të sigurta brenda Policisë së Kosovës.

Sipas këtij burimi kjo kërkesë e Dren Kukajt është duke u shqyrtuar në zyrën ligjore të Policisë së Kosovës, e pastaj do të vendosin për hapat e mëtutjeshëm.

KALLXO.com e ka kontaktuar Dren Kukajn por i njëjti nuk ka pranuar të konfirmoj duke thënë se nuk e ka të sigurt informatën, ani pse ai vet e ka deponuar kërkesën në Policinë e Kosovës.

“Qetash s’mundem me të konfirmu asgjë, veç kontaktom nesër ose drejtohu zyrës për media të Komunës. Nuk e di saktë, veç nesër mundem më të lajmëru. Nuk e kam të sigurtë informatën”, tha Kukaj për KALLXO.com

Kjo ndërmarrje është bërë mollë sherri ndërmjet Vetëvendosjes dhe PSD-së në Komunën e Prishtinës.

Pas skadimit të mandatit të Nexhat Kryeziut si kryeshef ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Komuna e Prishtinës muaj më parë ka emëruar Hajdar Hoxhën në krye të Ndërmarrjes Publike Banesore, mirëpo ky i fundit po pengohet të hyjë në objekt nga zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Mirëpo Kryeziu po vazhdon të qëndroj në krye të kësaj ndërmarrje. Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje i cili është edhe aksionar NPB-së, Egzon Azemi para disa ditëve përmes një konference për media ka thënë se NPB po tenton të kapet nga miqtë e Shpend Ahmeti.

Javën e kaluar edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka dhënë një opinion ligjor, i cili është interpretuar ndryshe nga zyrtarët e PSD-së dhe ndryshe nga ata të VV-së.

https://kallxo.com/mzhe-tenton-ta-mbylle-kontestin-psd-vv-por-e-thellon-edhe-me-shume/