Foto: KALLXO.com

Komuna e Rahovecit punësoi fizioterapeut në kundërshtim me U.A. të MSh-së për Kujdesin Parësor Shëndetësor

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me 17 janar të këtij viti ka shpallur një konkurs për fizioterapeut, si dhe për mjek të praktikës së përgjithshme.

Sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë 08/2017 për strukturën, organizmin dhe përcaktimin e shërbimeve dhe veprimtarisë së Institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) e një komune nuk ofron shërbime të fizioterapisë dhe nuk ka të drejtë për shpalljen e konkursit për fizioterapeut.

Në nenin 8 të këtij Udhëzimi, ku përshkruhen shërbimet që i ofrojnë Institucionet Shëndetësore, nuk shkruan se këto institucione mund të ofrojnë shërbime të fizioterapisë.

Gjithashtu edhe Statuti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, nuk e thekson se QKMF-ja në veprimtarinë e saj ofron shërbime të fizioterapisë.

Sipas këtij statuti, në QKMF ofrojnë shërbime mjekët si specialist të mjekësisë familjare, doktorë të stomatologjisë, infermierë, asistentë stomatologu e të tjerë.

Samir Mustafa drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Rahovecit, në një përgjigje për KALLXO.COM, ka thënë se konkursi është shpallur duke u bazuar në nenin 4 të Udhëzimit Administrativ, që thotë se Kujdesi Parësor Shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore, të drejtuara nga nevojat dhe kërkesat e individëve, familjeve dhe bashkësisë.

“DSHMS duke parë nevojën për punësimin e një fizioterapeuti ka ndërmarrë të gjitha veprimet për të plotësuar këtë kërkesë të qytetarëve me qëllim të përmirësimit dhe ruajtjes së shëndetit të individëve dhe bashkësisë në Komunën e Rahovecit. Duke marrë parasysh se deri më tani ky shërbim ka qenë i mundur të merret vetëm nëpër spitalet regjionale. Për një trajtim sa do të vogël, qytetarët të Komunës sonë është dashur të udhëtojnë në qytetet më të mëdha për të pranuar trajtimin që shoqërohet me një kosto mjaftë të madhe për individin dhe familjen”, thuhet në përgjigjen e Mustafës.

Gjithashtu Mustafa ka thënë se Drejtoria e Shëndetësisë për shpalljen e këtij konkursi, ka menduar që pozitën e fizioterapeutit ta klasifikojë në kuadër të nenit 14, pikës 10, ku gjithashtu nuk ceket për shërbim të fizioterapisë.

Ministria e Shëndetësisë, gjithashtu e ka konfirmuar se QKMF-ja e një komune nuk ka të drejtë të shpallë konkurs për fizioterapeut.

“Udhëzimi Administrativ 08/2017 -Organizimi, struktura, përcaktimi i shërbimeve dhe veprimtarisë së institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor, Neni 14 profesionistët shëndetësor në Kujdesin Parësor Shëndetësor (KPSH)  përcakton profesionistët që ofrojnë shërbime shëndetësore në Institucionet e KPSh-së. Fizioterapeuti nuk është pjesë e profesionistëve në KPSh bazuar në këtë Udhëzim Administrativ 08/2017”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Sa i përket konkursit të shpallur, 9 persona gjithsej kanë aplikuar për fizioterapeut në QKMF në Rahovec, ndërsa fitues është përzgjedhur Halil Çanta, që sipas drejtorit Mustafa, ai veçse ka filluar punën në këtë institucion.