Foto: Komuna e Prizrenit

Komuna e Prizrenit lansoi platformën për investime nga diaspora

Komuna e Prizrenit së bashku me organizatën jo-qeveritare ‘Germin’, sot lansuan projektin “Forumi i Bashkë-Investime dhe Rrjetëzimit”, i cili synon të tërheqë investimet e huaja dhe nga diaspora në Prizren dhe të krijojë lidhje të reja tregtare për bizneset vendore.

Përveç kryetarit të komunës së Prizrenit dhe atyre nga organizata ‘Germin’, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të shoqatave vendore të biznesit, Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe të Unionit të Bizneseve Shqiptare-Gjermane.

Gjatë lansimit u njoftua se në kuadër këtij forumi, i cili do të mbahet mes datave 5-7 korrik, do të ketë takime, prezantime të zonës ekonomike e të projekteve të ndryshme ku diaspora mund të investojë dhe se duke filluar nga sot bizneset vendore do të mund të kenë mundësinë e marrjes së trajnimeve përgatitore të cilat do t’i shërbejnë për t’i zgjeruar kapacitetet e tyre biznesore.

Platforma www.investinprizren.com, nga sot do të shërbejë si pikë kontakti dhe informacioni për të interesuarit për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe gjithashtu do të përditësohet në vazhdimësi me informacione rreth mundësive që i ofron qyteti i Prizrenit.

Përfitues të këtij projekti do të jenë qytetarët, bizneset dhe institucionet e Komunës së Prizrenit të mandatuara për zhvillim ekonomik, si dhe kompanitë me potencial investues nga jashtë dhe nga diaspora.

Në këtë forum, pritet të jenë më shumë se 40 investitorë nga diaspora, të cilët kanë shprehur interesimin e tyre për të qenë bashkë-krijues për të ardhmen e Prizrenit.