Foto: Facebook

Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës me memorandume bashkëpunimi për dhjetë projekte

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi sot kanë nënshkruar memorandume bashkëpunimi për dhjetë projekte kulturore në këtë qytet.

Haskuka ka njoftuar se këto projekte do të jenë vazhdim i atyre që kanë filluar dhe fillim i projekteve të reja.

“Sot me ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi nënshkruam memorandume bashkëpunimi për 10 projekte, për vazhdimin e atyre që kanë filluar vitin e kaluar si dhe për fillimin e projekteve të reja të cilët do të realizohen në Komunën e Prizrenit. Këto memorandume përfshijnë realizimin e projekteve për ndërtimin e Qendrave Kulturore në Novo Selo, Pouskë dhe Skorrobisht, Fushën Sportive në Lubinjë të Epërme, Poligonin Sportiv në Mushnikovë , Stadiumin e fshatit Gjonaj, Ndërtimin e Stadiumit në Zhur, Ndërtimin e Pishinës Olimpike, si dhe Kompleksin Sportiv 11 Marsi dhe Stadiumin Përparim Thaqi, ku këto dy të fundit pritet të përfundojnë së shpejti”, ka shkruar Haskuka.

Shuma e përgjithshme e këtyre projekteve arrin në më shumë se 3,5 milionë euro.