Komuna e Prishtinës: Sistemi elektronik për shërbimin e qytetarëve nuk funksionon, prej nesër shërbim manual në sportele

Komuna e Prishtinës përmes një komunikate ka njoftuar se ka një kohë të gjatë që nuk po funksion sistemi elektronik për shërbimin e qytetarëve.

Ky sistem sipas tyre menaxhohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Ju njoftojmë se që një kohë të gjatë, e në veçanti në dy ditët e fundit, në Komunën e Prishtinës nuk është duke funksionuar sistemi elektronik për shërbimin e qytetarëve/INTRANET. Sistemi është qendror dhe menaxhohet e mirëmbahet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL)”, thuhet në njoftim.

Nga komuna thonë se përkundër raportimeve të shumta në MAPL dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, nuk është marr ndonjë veprim.

Sipas tyre, prej nesër do ofrohen shërbime manuale në sportele.

“Përkundër raportimit të vazhdueshëm për këtë çështje në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës, deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë veprim. Andaj, ju informojmë se nga nesër, e enjte, 10 Qershor, Komuna e Prishtinës do të ofrojë shërbime manuale në sportele”, thuhet tutje në njoftim.