Digjitalizimi i subvencioneve | Foto: KALLXO.com

Komuna e Prishtinës- Platformë Online për Subvencionet e Kulturës

Qytetarët e Prishtinës nga sot do të kenë sistemin elektronik për menaxhimin e subvencioneve për Kulturë, Rini dhe Sport.

Muhaedin Nushi- nënkryetar i Komunës së Prishtinës tha se ky projekt është vazhdimësi e projekteve të digjitalizuara në komunën e Prishtinës dhe faza e plotë e tij do të fillojë nga janari i 2018.

Nushi tregoi se në fazën aktuale të zhvillimit të projektit të digjitalizimit do të mund të aplikohet për subvencione me anë të platformës.

“Është një projekt që do të fillojë fazën e plotë të implementimit në vitin e ardhshëm. Në këtë fazën aktuale dhe fazën pasuese ojq-të do të aplikojnë përmes platformës . Deri më tani në projekt është punuar shumë”, tha Nushi

Besart Vllahinja- drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës tha se një aspekt i rëndësishëm i platformës është se jepen mundësitë për të dhënat e nevojshme edhe në mënyrë statistikore, duke shtuar se kjo ndodh pasi bëhet fjalë për fondet të cilat vijnë nga taksat e qytetarëve.

Manuali i cili shpjegon mënyrën e aplikimit është në uebfaqen e komunës.

Në platformë përveç aplikimit për subvencione mund të shihen edhe të gjitha ngjarjet kulturore.

“Shpresoj që platforma ose modeli të ndiqet edhe nga komunat e tjera në mënyrë që të ketë një komunikim sa më të afërt me qytetarët”, tha Vllahinja.

Albert Avdiu- menaxher i programit anti-korrupsion në UNDP tha se me këtë digjitalizim rritet transparenca në Komunën e Prishtinës.

“Projekti ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Komuna e Prishtinës ka qenë komuna e parë që ka arritur të jetë transparente. Në këtë kontekts është arritur edhe dakordimi që projekti të mbështesë edhe platformën digjitale”, tha Avdiu.

Ndërsa drejtori Vllahinja e pranoi se ka pasur vonesa për ndarje të subvencioneve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, por deklaroi se platforma do ta rrisë edeh efektshmërinë.

Në qershor Komuna e Prishtinës lansoi edhe një aplikacion në të cilin qytetarët mund t’i raportojnë parregullsitë.