Nga një mbledhje e Kuvendit Komunal të Prishtinës - Foto: Facebook

Komuna e Prishtinës Padit Qeverinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në mbledhjen e shtatë të Kuvendit të Komunës tha se e ka paditur Qeverinë e Kosovës për pronat që ua ka marrë para 6 vjetësh.

“Kjo është një shkelje totale e ligjit. Tashmë e kemi deponu padinë në gjykatë, kemi dërgu përmbarues që t’i mbledhin se bëhet fjalë për diku 7 milionë që nuk paguhen fare. Me ligj këto prona duhet t’i kthehen Komunës në qoftë se nuk është bërë pagesa brenda dy viteve. Mirëpo, një pjesë është ndërtu autostrada, kështu që nuk di si do të zgjidhet por ashtu siҁ ka vendosur Gjykata Themelore për rastin e Ndërmarrjes Publike Banesore, që i ka dhënë të drejtë MPB-së karshi Qeverisë besoj se të njëjtin rast do ta ndjekin edhe për Komunën e Prishtinës”, tha i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Në këtë mbledhje të Kuvendit të Komunës së Prishtinës u bë edhe shqyrtimi i raportit nëntëmujor buxhetor, janar-shtator 2016.

Lidhur me këtë, Sokol Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shprehu shqetësimin për rënien e investimeve kapitale.

“Në aspektin formal mund të konstatojmë se investimet kapitale janë për 1 milion më pak se vitin e kaluar, gjë që është një shqetësim real për pritjet e qytetarëve të Prishtinës që i kanë pasur në projektet e planifikuara për këtë vit”, tha Krasniqi, i cili është shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së.

Kurse Lirak Çelaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shprehu shqetësim për mosshpenzimin e mjeteve të planifikuara për shpenzim. Ai akuzoi Komunën se po i ruan paratë që t’i shpenzojë vitin e ardhshëm që është edhe viti zgjedhor.

“Ajo që është më shqetësuese është shpenzimi i mjeteve që paraqet performancën reale të një qeverisje sepse mosshpenzimi nënkupton dështimin e projekteve që i kanë paraparë vetë  dhe vetë fakti që shpenzimet në investimet kapitale janë 1 milionë euro më pak dhe në total shpenzimet janë më pak se vitin e kaluar në këtë periudhë për mua është shqetësuese sepse pas tre viteve këta do të duhej të mësoheshin të qeverisnin e jo të bënin hapa mbrapa”, tha shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së.

Në anën tjetër, asamblisti nga Vetëvendosja, Kreshnik Ahmeti, tha se ky raport nëntëmujor është reflektim i zhvillimit të Komunës dhe qeverisjes.

“Kemi një dallim të madh cilësor tek të hyrat dhe mendoj se nuk do të kishte realizim të tillë të të hyrave nëse nuk do të kishte investime të duhura dhe cilësore në Prishtinë. Kjo shihet te taksat për lejet e ndërtimit ku shohim se 93% e taksave të planifikimit për të hyra janë realizuar e kjo tregon se jo vetëm qytetarët e Prishtinës por në Prishtinë është një fluks i njerëzve tu ardhë dhe për këtë arsye ka nevojë për ofertë”, u shpreh Ahmeti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ky është viti rekord për mbledhjen e tatimit në pronë kurse për legalizimin dhe parkingjet tha se kanë shkaktuar hendek në të hyra.

Ai në këtë mbledhje gjithashtu foli edhe për strehimin e 10 familjeve të lagjes “Dardania” dhe për pagesën e qirasë për familjet në Fushën e Pajtimit.

Seanca filloi me një minutë heshtje për nder të Astrit Deharit pas kërkesës së Qëndron Kastratit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në seancën e shtatë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës ishin të pranishëm edhe disa përfaqësues të KFOR-it që e përcollën mbledhjen. Si pika të rendit të ditë ishin miratimi i ekstrakteve të procesverbaleve të mbledhjes së pestë dhe të gjashtë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, betimi i anëtarit të ri të Kuvendit, shqyrtimi i propozimvendimit për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës – Qendrës së Arteve të Kosovës, propozimvendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës për KEDS-in, etj.

Redaktoi: Naser Sertolli