Autobus i Trafikut Urban - Foto: Facebook/ Komuna e Prishtines

Komuna e Prishtinës krijon biletë mujore që mund të shfrytëzohet për disa linja të autobusëve

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se qytetarët e Prishtinës dhe periferisë që shfrytëzojnë për udhëtim autobusët e Trafikut Urban prej tash do të mund të pajisen me biletë mujore dhe ta shfrytëzojnë atë për disa linja.

Sipas Komunës, qytetarët me të njëjtën biletë mujore mund të udhëtojnë me autobusët e linjave 1, 3, 3C, 4, 7C dhe 15.

Për nxënës dhe studentë bileta është 12 euro/muaj, ndërsa çmimi i rregullt për qytetarë është 14 euro/muaj.

Pikat e shitjes për bileta janë kiosku me logo Trafiku Urban, prapa objektit të Komunës (te “Plepat”), orari i punës e hënë – e premte 07:00 – 20:00, e shtunë 09:00 – 13:00, dhe kiosku me logo Trafiku Urban, në lagjen Kodra e Diellit, te ”Banesat e Bardha”, çdo ditë të javës, e hënë – e diel me orar 06:00 – 22:00.