Komuna e Prishtinës - Foto: Atdhe Mulla

Komuna e Prishtinës i kundërpërgjigjet akuzave të LDK-së

 Komuna e Prishtinës iu ka përgjigjur akuzave  se kryetari Shpend Ahmeti ka humbur 22 milionë euro nga buxheti për projekte kapitale, e që sipas LDK-së, kjo është bërë nga “paaftësisë menaxheriale”.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri në një përgjigje për KALLXO.com thotë se kjo komunë nuk ka humbur asnjë cent të buxhetit, dhe që sipas tij, ende nuk ka raport përfundimtar për të ditur shumën e bartjeve.

“Sikurse edhe në fushatë edhe tani Abrashi shpërfaq padituri totale sa i përket financave lokale.  Komuna e Prishtinës nuk e ka humb asnjë cent të buxhetit.  Të gjitha grantet qeveritare janë shpenzu dhe të hyrat vetanake meqenëse mblidhen gjatë gjithë vitit barten për vitin tjetër.  Ende nuk ka raport përfundimtar për të ditur shumën e bartjeve”, tha Tahiri.

Sipas tij, qeverisja komunale e Ahmetit nuk ka humbur asnjë cent, në krahasim më qeverisjen e kaluar, që deri në fund të vitit 2013 udhëheqte në Prishtinë, Isa Mustafa.

“Në vitin 2013 në qeverisjen Mustafa ka qenë 21 milion e pastaj në vitet me radhë kanë qenë 15. 13, 7 dhe 13 dhe asnjëherë nuk ka humbur asnjë cent e që është fakt edhe sivjet.  Duhet vetëm me i lexu Ligjet deputeti në fjalë”, shtoi zëdhenësi Tahiri për KALLXO.com

Ndërkaq, angazhimin e dyfishte të Ahmetit, në qeverisje komunale dhe në ekipin negociator në dialogun Kosovë-Serbi, Arban Abrashi sot gjatë një konference për media e kishte quajtur “shkelje ligjore”

Mirëpo, lidhur me ketë çështje, Tahiri u përgjigj vetëm se “nuk ja vlen as të komentohet”.

 

https://kallxo.com/abrashi-shpend-ahmeti-hupi-22-milione-euro-nga-paaftesia-menaxheriale/